Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

​Kurti: Qeveria është për familjen, synojmë barazinë dhe nxitjen e punësimit

 
   

Qeveria e Kosovës ka lansuar skemën për mbështetjen e punësimit për anëtarët e aftë për punë të familjeve përfituese nga pilotimi i reformës së asistencës sociale, duke subvencionuar 70 për qind të pagës së tyre për gjashtë muaj. Po ashtu, të njëjtit, nuk do të largohen automatikisht nga skema sociale.

Kryeministri Albin Kurti tha se kjo masë synon barazinë dhe nxitjen e punësimit.

“Në lansimin e projektit për reformën e asistencës sociale premtuam një program i cili synon barazinë dhe nxitjen e punësimit. Premtimin për reformë që pikësynim ka barazinë shoqërore e kemi realizuar duke hequr kriteret diskriminuese dhe duke prezantuar teste të reja të varfërisë. Si rezultat, në fillim të këtij muaji, 1824 familje në nevojë përfituan mbështetje financiare duke u bërë kështu pjesë e grupit të parë të përfituesve. Premtimin e dytë për nxitjen e punësimit po e realizojmë duke mos larguar automatikisht nga skema ata që punësohen, por duke inkurajuar dhe mbështetur integrimin e tyre në tregun e punës. Nëse në të kaluarën familjet me asistencë sociale punësimin e kanë parë si kërcënim për largim nga skema e asistencës sociale, sot duhet ta shohin si mundësi që të sigurojnë të ardhura të nevojshme për të mos pasur nevojën për skemën… Kjo realizohet në dy faza. Faza e parë përfshinë subvencionimin e 70 për qind të pagës së punëtorit për 6 muaj me radhë. Si mbështetje shtesë nëse punësimi vazhdon edhe për 6 muaj të tjerë punëdhënësi do të përfitojë gjithashtu një pagesë të njëhershme”, tha ai.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, tha se përmes kësaj skeme synohet inkurajimi i punësimit të anëtarëve të familjeve përfituese të asistencës sociale. Ai dha edhe detaje sa do të jetë subvencionimi i pagës për një punëtor për gjashtë muaj, si dhe shuma e tjetër për gjashtëmujorin e dytë.

“Ne inkurajojmë punësimin dhe ky është hapi i dytë. Të gjitha familjet që janë përfituese të skemës së asistencës sociale përmes këtij projekti e kanë obligim që të regjistrohen si punëkërkues në Agjencinë e Punësimit të gjithë ata persona që janë të aftë për punë. Persona nga 18 deri 64 vjet duhet të regjistrohen si punëkërkues në mënyrë që këshilltarët që i kemi këtu do të bëjnë ndërmjetësimin e punësimit për këta persona… Secilit biznes që angazhon të punësuarit nga kjo skemë për 6 muajt e parë i paguhet 70 për qind e pagës apo deri 350 subvencionim apo deri 500 euro paga bruto nëse e marrim si pagë. Kurse për gjashtë muajt e dytë, nëse vazhdon punësimi më tutje, është paraparë që në fund të periudhës së gjashtëmujorit të dytë të jepet edhe një 20 për qind i të gjitha pagave të gjashtë mujorit të dytë”, deklaroi Murati.

Drejtori i Bankës Botërore për Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, Massimiliano Paolucci, tha se investimi në familjet me asistencë sociale nuk është vetëm një përgjegjësi morale, por edhe një strategji e qëndrueshme për secilin vend.

“Përmirësimi i cilësisë së jetës për njerëzit e Kosovës është një prioritet për Bankën Botërore. Parimet udhëzuese për të mbështetur Qeverinë e Kosovës dhe mbrojtjen e sistemit social është vendimtar për të arritur objektivat e përbashkëta. Ky program, i cili përfshin mbështetjen për familje me asistencë sociale dhe programet e punësimit, luan një rol esencial për të ndihmuar familjet kosovare që janë në krizë… Investime në sistemin e mbrojtjes sociale nuk është vetëm një përgjegjësi morale, por është një strategji e qëndrueshme dhe shëndetshme”, tha ai.