Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Bajqinovci dhe Rexhaj përplasen rëndë me analistët

 
   

Të enjten në ‘Politiko’ kanë qenë të ftuar deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci dhe Arbër Rexhaj përballë analistëve Halil Matoshi, Blerim Gashi dhe Pranvera Ejupi-Hajzeraj, ku është diskutuar për zgjedhjet e shkurtit, proceset e rëndësishme për Kosovën, dyshimet për korrupsion, përgjimet, rolin e Mihalit në VV, raportin e progresit, veriun dhe doracakun për edukim seksual.

Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje janë shprehur të bindur se VV nuk do të ketë nevojë për koalicione, ngaqë sipas tyre, ata do të fitojnë bindshëm me mbi 50% në zgjedhjet e shkurtit të vitit 2025.

“Ne nuk kemi nevojë të futemi në koalicion me askënd sepse ne do ta kalojmë 50% si formacion politik Lëvizja Vetëvendosje”, ka thënë Bajqinovci.

Nga ana tjetër, deputeti Rexhaj ka thënë se të gjitha partitë në vend janë shndërruar në një bllok kundër Lëvizjes Vetëvendosje.

“Është e pamundur të bëjmë koalicion me partitë e tjera. Po e vëreni edhe vetë që PDK, AAK, LDK janë shndërruar në një bllok të gjithë kundër neve”, ka thënë Rexha.

Derisa deputetët e VV-së janë ‘mburrur’ me qeverisjen Kurti, analistët në ‘Politiko’ ua kanë rikujtuar dyshimet për korrupsion, përgjimet dhe siç i quajtën ata ‘skandalet’ e kësaj qeverie.

Gazetari dhe njëherësh analisti politik, Halil Matoshi ka thënë se Qeveria e Kosovës ka dështuar në shumë sektorë.

Para deputetëve të VV-së Arbër Rexhajt dhe Mefail Bajqinovcit, Matoshi nuk është kursyer me kritika për qeverinë teksa ua ka numëruar një nga një “dështimet” e qeverisë Kurti.

“Geni serb, Nagipi, 11 ligje në Gjykatë Kushtetuese, zdravo, zejtini, Liburn Aliu, Naser Hafizi, kunatat e kryetarit të Gjilanit, edukata seksuale, sanksionet, Këshilli i Evropës, ura e Ibrit e cila do të hapet me apo koordinim, mbyllja e Ministrisë së Punëve të Jashtme. Jemi mbet të shkretë midis dyje”, ka numëruar Matoshi.

Me ironi, Matoshi është shprehur se kjo qeveri ka dështuar në të gjitha sektorët, ndërsa ka theksuar se në fund të mandatit po të njëjtëve u kanë dalë edhe shumë afera korruptive.

“Dështime jashtë dhe dështime brenda. Nuk e di me çka keni me dalë para publikut, i cili iu ka votu. Bile edhe ata që s’ju kanë votu e kanë pasë një simpati. Bash bile në fund ju kanë bi do afera goxha bajate”, ka thënë Matoshi.

Në debat e sipër, Bajqinovci ka mohuar se ndonjë ministër i kësaj qeveria ka aktakuzë të hapur me vendim të gjykatës.

“Na nuk kem as edhe një ministër i cili ka aktakuzë, na nuk kem asnjë zëvendësministër që ka aktakuzë me vendim gjykate. Asnjë qeveritar në qeverinë Kurti 2021-2024 nuk ka aktakuzë dhe vendim të gjykatës për dallim që janë 283 aktakuza prej vitit 2008-2020 dhe prej tyre 109 janë për zyrtarë qeveritarë”, është kundërpërgjigjur Bajqinovci.

Tutje, debati ka vazhduar edhe me pyetjet për administratën Trump dhe ndikimin që mund ta ketë për Kosovën.

I pyetur se a ‘shpëtoi’ Lëvizja Vetëvendosje dhe qeveria që Grenelli nuk u emërua sekretar i jashtëm i administratës Trump, Rexha i VV-së ka thënë se nuk kanë frikësohen nga ndonjë ‘hakmarrje’ e Grenellit.

Sipas tij, Grenell nuk po kthehet në pushtet, porse opozita ka dashur ta paraqesë tendencën që me ardhjen e ish-të dërguarit të SHBA-së për dialog mund të ndikojë tek Qeveria e Kosovës.

“Jo bre nuk kemi pasë as ateherë sa ka qenë edhe këtu nëse ju kujtohet. Grenelli nuk po kthehet në pushtet. Tendencën e ka pasë opozita me shitë qe ja erdhi Grenelli”, ka thënë Rexhaj.

Rexha ka theksuar se Kosova është e ndërtuar prej vulës amerikane dhe se emërtimet e Trump duartrokiten edhe nga ta.

“Jo nuk kam pas frikë se e kam mendu që fiton Trumpi. Kosova është e ndërtuar si shtet prej vulës amerikane dhe në këtë kuptim si demokratë si konservatorë kanë dhënë kontributin në këtë vend. Emërimet duartrokiten edhe prej politikës në Kosovë”, ka theksuar Rexhaj.

Tutje, përplasjet e forta nuk kanë munguar as në mes të deputetit Bajqinovci dhe analistit Çollaku.

Teksa po flitej për problemin e FSK-së, Bajqinovci i VV-së ka thënë ai nuk ka qenë i vërtetë porse është krijuar nga opozita, duke e cilësuar të njëjtin si ‘rrenë’ të tyre,

Ai ka theksuar gjithashtu se qeveria Kurti ka dalë e pakorruptuar në çdo raport ndërkombëtar.

“Problem i FSK-së nuk është i vërtetë, problem të cilin e ka kriju opozita. Tek çështja e ushqimit është rrenë e opozitës. Në kohën e VV-së është bërë liberalizimi i vizave. Në çdo raport vendor dhe ndërkombëtar qeverisja Kurti ka dalë e pakorruptuar”, ka thënë Bajqinovci.

Lavdërimet për qeverinë, Bajqinovci i ka shtrirë edhe në fusha të tjera. Ai u është kundërvënë panelistëve, duke mohuar kritikat e tyre dhe duke pasqyruar vendimet që i ka marrë qeverisja Kurti përgjatë këtij mandati.

“Për institucionet e sigurisë, për here të parë është bërë Ligji i pagave. Për here të parë është investu në ushtrinë e Kosovës në ushtri dhe municion. I kemi 250 milionë euro armatim dhe municion.  Paga e policit ka ndryshu dy here brenda këtij mandati”, ka këmbëngulur Bajqinovci.

Por qe analisti Çollaku, i cili teksa po e dëgjonte me vëmendje deputetin Bajqinovci, shtroi edhe pyetje ironike.

“Meqë qenka kaq mirë, pse po ikin ushtarët e policët?”, iu drejtua Bajqinovcit.

“Pse po ju ikin policët dhe ushtarët meqë qenka kaq mirë, 11% i ki ikje prej FSK-së, a e din pse po ikin se kryeministri i ka bërë dy gjëra, njëherë i ka mashtruar me rritje të pagave edhe në fund a din çfarë koeficienti ia ka bë, rritja është shumë e vogël”, ka thënë Çollaku.

Mirëpo Bajqinovci ka theksuar se ky trend i largimit nuk e ka prekur vetëm Kosovën, por edhe tërë Ballkanin.

“Jo, jo nuk është qashtu ushtari i është ngritur paga për 50%, standart i largimit është në krejt Ballkanit edhe në krejt Evropën, nuk dallojnë”, ka thënë Bajqinovci.

E analistja politike, Pranvera Ejupi-Hajzeraj ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk ka bërë reforma në drejtësi, ani pse të njëjtit kanë ardhur në krye të shtetit me premtime të tilla.

Ajo ua ka përmendur deputetëve të VV-së edhe ‘konfliktin’ që qeveria e ka pasur me Prokurorinë Speciale.

“VV-ja edhe me i marrë 70% a 80% nuk po dini me e reformu shtetin, po më vjen keq me e thënë. Nuk mundeni, ju keni ardhë në krye të shtetit për shkak të reformave, ju keni thënë kena me bë reforma në drejtësi, ratë në konflikt me prokurori po thonë prokuroria e keqe. Nuk po them që kryeministri i ka fajet decidivisht, i kanë fajet njerëzit që bashkëpunojnë me të i ka marr afër vetes njerëzit që nuk kanë pasur pozicione tjera janë shku për herë të parë janë bë ministra dhe nuk po dinë me udhëheq”, ka thënë Ejupi-Hajzeraj.

Gjatë debatit nuk u la pa u përmendur edhe Dejona Mihali, koordinatorja e fuqishme me VV-së, e cila kohë më parë ishte ftuar nga Prokuroria Speciale në cilësinë e dëshmitares.

Rexhaj e ka mbrojtur Mihalin, duke e quajtur “zonjë të rëndësishme” për VV-në.

“Unë mendoj që është gogolizu një zonjë shumë e rëndësishme për VV-në”, ka thënë Rexhaj.

Çollaku ka këmbëngulur se si i shohin përgjimet e Mihalit që kanë dalë në medie, ku jep urdhra të prerë për rrymën dhe vendime të tjera.

Termi ‘përgjim’ është mohuar nga Rexhaj, i cili ka thënë se Prokuroria Speciale është ‘opozita’ e tyre.

“Po so përgjim ajo. Po ka hy në Prokurorinë Speciale, qaj që është arrestu ia kanë marrë telefonin dhe ia kanë dhanë mediave në Prokurorinë Speciale. Nuk o përgjim”, ka thënë Rexha.

“Ti ja ke don me thanë që ata e kanë shkelë privatësisë e dikujt”, ka thënë Çollaku.

“Unë po them që ata janë opozita jonë”, ka thënë Rexhaj, duke iu referuar Prokurorisë Speciale.

Në ndërkohë një debat i fortë është zhvilluar Bajqinovcit dhe gazetarit Halil Matoshi, teksa po diskutohej për situatën në veri të vendit.

Bajqinovci e quajti si projektin më të madh të kësaj qeverie menaxhimin me veriun.

“Nuk ka kthim mbrapa Halil Matoshi, partitë opozitare me ardhë ato në pushtet. Projekti më i madh është Halil kur del e shkon e pi kafe në veri”, ka thënë Bajqinovci.

E kjo deklaratë e ka nervozuar Matoshin, i cili ia ktheu, “Me 13 mijë policë a?, ti po shkon me policë në veti”.

“Nuk është e vërtet, kurrë me policë nuk dal”, iu përgjigj Bajqinovci.

“Me civilë dhe uniforma në shkoftë një ministër dhe deputetë pa 17 policë qaty në veri me kusht lidhemi”, ka thënë tutje Matoshi.

“A shkojnë bashkë pyeti” e pyeti Bajqinovci.

” Edhe kolegu yt i Podujevës qetu ka gënjyer ka thënë që sa kesh në veri, kur ja kanë qitë videon me 4 vetura të policisë”, ka thënë Matoshi.

Nga diskutimi për veriun, debati vazhdoi edhe për doracakun për edukim seksual, i cili ka bërë bujë kohëve të fundit dhe është kritikuar përmbajtja e tij.

Bajqinovci ka këmbëngulur se doracaku për ngacmim seksual është hartuar nga Arsim Bajrami dhe se i njëjti është pranuar nga ministrja e atëhershme Hykmete Bajrami.

Ai ka treguar edhe dëshmi që doracaku i njëjtë është nënshkruar nga LDK-ja.

“Në vitin 2016, në kohën kur ishte Arsim Bajrami ministër dhe u pranua në kohën kur ministre ishte Hykmete Bajrami”, ka thënë Bajqinovci në ‘Politiko’ me Kushtrim Sadikun, teksa ai është pyetur nga komentatorja politike, Pranvera Ejupi-Hajzeraj.

Bajqinovci ka këmbëngulur që askund në tekstin e doracakut nuk shkruan që është hartuar në vitin 2023.

“Askund në tekst nuk është data 2023. Në 2023 nuk është ky doracak”, ka thënë Bajqinovci.

I pyetur për bisedat mes Mimoza Kusari-Lilës dhe Simiq, Rexhaj ka thënë se VV nuk ka kurrfarë bashkëpunimi me Listën Serbe.

“Ajo është shefe e Grupit Parlamentar dhe si shefe e GP-së e ka për detyrë që t’i bindë madje edhe opozitën dhe këta që janë në kuvend për me t’ia marrë votën”, ka thënë Rexhaj.

“Por detyrë me diskutu me Radojçiqin nuk e ka”, i është drejtuar moderator Sadiku.

Ndryshe, partitë në vend tashmë janë mobilizuar për zgjedhjet e shkurtit, të cilat do të mbahen më 9 shkurt të vitit 2023.

Zgjedhjet e fundit parlamentare, të mbajtura më 14 shkurt 2021, shpallën fituese Lëvizjen Vetëvendosje, duke sjellë ndryshime të mëdha në qeverisje pas një periudhe të gjatë. Vetëvendosje qeverisi për katër vjet radhazi, pa bërë koalicion me partitë e mëdha, të cilat mbetën në opozitë për një mandat të plotë.