Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

“Dinozauri” që pret të ringjallet nga shteti, a ka të ardhme transporti hekurudhor në Kosovë?

 
   

Sulmet me gurë dhe bllokimi i trasesë së hekurudhës, mungesa e kushteve brenda kabinave, e probleme të tjera po e sfidojnë udhëtimin me tren në linjën e vetme hekurudhore aktive, Prishtinë-Pejë.

Ora 07:30 e mëngjesit, temperatura 3 gradë, për pak minuta pritet të arrijnë udhëtarët nga Peja.

Nga qyteti i Dukagjinit në Prishtinë udhëtarët paguajnë 3 euro, studentët 1.50 euro, ndërsa bileta kthyese kushton 4.80 centë, çmime më të lira sesa udhëtimin me autobus, prandaj udhëtarët nuk mungojnë.

Ardit Mehmetaj për katër vite ka udhëtuar nga Klina për në Prishtinë. Përfundimi i studimeve në gjuhën shqipe e ka sjellë në Prishtinë për të jetuar, por prapë e ka rikthyer si mësimdhënës në qytetin e lindjes.

Komoditetin dhe ngrohtësinë që të ofron vetura e ka lënë, dhe për herë të parë për në punë do të udhëtojë me tren.

Arsyet, janë të thjeshta.

“Kam udhëtu një muaj me veturë, shpenzimet kanë qenë shumë të mëdha, për shkak të shpenzimeve jam detyru me ardh më tren. Po ka edhe arsye të tjera, për shembull, komoditeti më i madh, kam hapësirë rreth 1 orë e 40 minuta i bëj deri atje, kam hapësirë me e shfrytëzu për lexim ose për diçka tjetër këtë kohë.”, ka deklaruar Ardit Mehmetaj – mësimdhënës në Klinë (fshati Jagodë).

Krahas përparësive që ofron udhëtimi me tren, Arditin po e shqetëson mungesa e sigurisë.

Shkaktar është bërë një sulm me gurë më 3 nëntor, ndërsa më 15 tetor një rast tjetër edhe më serioz. Persona të panjohur kishin hedhur gurë mbi trasenë hekurudhore në linjën Prishtinë-Pejë, në dalje të stacionit Cerrovikë.

“Në rast se ka investime më shumë, ky tren mirëmbahet më mirë, është nxemja, siguria është më e madhe, pra nuk tutemi ne që po na ndodhë ndonjë sulm me gurë, ose diçka edhe më e madhe, normalisht që e kisha përdor trenin”, ka deklaruar Mehmetaj.

Dy sulmet e fundit e kanë marrë vëmendjen e publikut, por janë shumë të tilla që ndodhin e nuk bëhen publike.

Në kabinën ku jemi aktualisht janë 12 dritare, pothuajse çdo cep i xhamave është i thyer, besoj po i shihni gjurmët. Punonjësit na treguan se janë të shpeshta sulmet me gurë ndaj xhamave. Ndërsa sipas tyre Policia e Kosovës e kryen interevistimin e dëshmitarëve në këtë rast edhe punonjësve, por pothuajse asnjëherë nuk përfundon me persona të arrestuar që qëndrojnë prapa sulmeve.

Drejtori i Transportit të mallrave në Trainkos beson se sulmet gjatë muajve të fundit nuk janë të rastësishme, por thekson se qëllimet nuk i dinë.

Në qoftë se dikush shkon bën muri në vijë hekurudhore, dhe para murit bën edhe gurë të tjerë, kjo të qon në dyshimet se është një akt terrorist, apo një akt i shantazhit apo si ta quajmë atë, apo si me ja lënë emrin kësaj dukurie, (çka qëndron prapa saj?), faktori njeri është ai.”, ka deklaruar Sabit Berisha – Drejtor i Transportit të mallrave në Trainkos.

Berisha thotë se për sigurinë është përgjegjës një zinxhir i tërë i institucioneve, prandaj kërkon që fajtorët të japin përgjegjësi.

Siguria është vetëm njëra ndër shumë sfidat me të cilët përballet transporti hekurudhor në Kosovë. Krahas vjetërsimit të infrastrukturës po plaket edhe stafi.

“Ne e kemi pasur një problem me një lokomotive, prej 28 tetorit kur të dielën e kemi aftësuar, duke iu falënderuar një pensioneri 77 vjet, një inxhinieri i cili ka ikur nga këtu për shkak të keqtrajtimeve e kanë trajtuar si kuadër, ka ikur. Dhe një pensioneri tjetër ia kemi vazhduar edhe nja 3 muaj ditë, dhe unë që jam afër pensionit”, ka deklaruar Berisha.

Me 490 mijë euro investime, Berisha thotë se vështirë është të ringjallet ky lloj transporti, sidomos në kohën kur shtetet fqinje kanë investuar qindra miliona euro.

Korridori 10 në drejtim të Hanit të Elezit është i mbyllur sepse po rinovohet traseja, dhe ende nuk dihet se kur do të hapet për qarkullim.