Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Hoxhaj: Përpjekjet për të minuar Marrëveshjen e Ohrit dhe Planin e Ahtisaarit, kundër interesave të shqiptarëve dhe të partnerëve perëndimorë

 
   

Ish-ministri i Jashtëm i Kosovës dhe aktualisht nënkryetar i Kuvendit të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka reaguar përmes një postimi në Facebook lidhur me mbledhjen e përbashkët të qeverive të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, që po zhvillohet sot në Prishtinë.

Hoxhaj kujtoi se para 10 vitesh ka hedhur idenë për organizimin e mbledhjeve të përbashkëta të qeverive, duke vlerësuar se këto takime janë një platformë e rëndësishme për bashkëpunim rajonal. Megjithatë, ai ngriti shqetësime serioze për qasjen e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut ndaj Marrëveshjes së Ohrit dhe për cenimin e gjuhës shqipe në këtë shtet.

“Gjuha shqipe është e gjithë shqiptarëve, jo e një partie politike, por e gjithë popullit shqiptar kudo që jeton në Ballkan,” shkroi Hoxhaj.

Ai kritikoi gjithashtu edhe Qeverinë e Kosovës, duke e akuzuar për përpjekje për ta rikonfiguruar Planin e Ahtisaarit, që është konsideruar si themeli i pavarësisë së Kosovës. Hoxhaj e vlerësoi këtë qasje si të dëmshme për interesat kombëtare dhe partneritetin perëndimor në rajon.

Çdo përpjekje për të minuar Marrëveshjen e Ohrit dhe Planin e Ahtisaarit është kundër interesave të shqiptarëve dhe të partnerëve perëndimorë në Ballkan,” përfundoi ai.

Gjithashtu, Hoxhaj, kërkon nga Qeveria e Kosovës që ta ngrisë zërin edhe për arrestimet e veteranëve të UÇK-së në Maqedoninë e Veriut.

Shkrimi i plotë i Enver Hoxhajt:

Sot në Prishtinë takohen dy qeveritë, ajo e Kosovës dhe ajo e Maqedonisë së Veriut dhe gjithmonë kam qenë në mbështetje të mbledhjeve të përbashkëta! Personalisht, e kam hedhur idenë në Qeverinë e Kosovës dhe kemi miratuar konceptin e mbledhjes së përbashkët të qeverive para 10 vitesh. Është mirë që deri më tani ka pasur mbledhje të përbashkëta, por e veçanta e kësaj mbledhjeje është kjo:

Sot vjen në Kosovë Qeveria e Maqedonisë së Veriut, e cila është e përkushtuar që ta përmbysë dhe ta rikonfigurojë Marrëveshjen e Ohrit, e cila është arritja më e madhe e vetë shqiptarëve në Maqedoni. Sot pres që Qeveria e Kosovës ta ngrejë çështjen e cenimit të gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut. Gjuha shqipe është e shqiptarëve, jo e një partie politike, por e gjithë popullit shqiptar kudo që jeton në Ballkan. Qeveria e Kosovës duhet ta ngrisë sot zërin edhe për aktet e shëmtuara të arrestimit të veteranëve të UÇK-së në Maqedoninë e Veriut!

Mjerisht, kemi një Qeveri të Kosovës, e cila ka bërë çdo gjë që ta rikonfigurojë Planin e Ahtisaarit, që është themeli i pavarësisë së Kosovës, njësoj sikurse tentativat për ta zhbërë Marrëveshjen e Ohrit, që është arritja më e madhe politike e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut!

Çfarë më shqetëson mua është se çdo përpjekje për të minuar Marrëveshjen e Ohrit dhe Planin e Ahtisaarit, dhe për të rikonfiguruar realitetin politik të krijuar nga ato, është kundër interesave të shqiptarëve dhe të partnerëve perëndimorë në Ballkan!