Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Hoti: Serbia po tenton ta bëjë një aneks të deklaratës për të zhdukurit

 
   

Ndonëse është bërë një vit e gjysmë kur Kosova dhe Serbia u pajtuan për miratimin e një deklarate për personat e zhdukur, për më shumë se 18 muaj asgjë nuk ka ndodhur në këtë drejtim. Madje, sipas kryetarit të Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjetur, Andin Hoti, Serbia, duke e zvarritur procesin, tashmë po tenton ta bëjë një aneks shtesë të deklaratës për personat e zhdukur, duke kërkuar nga BE-ja që ta fusë UNMIK-un në këtë mes.

Më 2 maj bëhen dy vjet kur Kosova dhe Serbia u dakorduan për miratimin e një deklarate për personat e zhdukur.

Kjo deklaratë në fillim u pa tejet e rëndësishme për zbardhjen e fatit të të pagjeturve që figurojnë tash e më shumë se dy dekada.

Në njërën nga pikat parashihej krijimi i një Komisioni të Përbashkët, të kryesuar nga BE-ja dhe të vëzhguar nga Kryqi i Kuq Ndërkombëtar, me qëllim të përpjekjeve për të zgjidhur fatin e të zhdukurve.

Por, për më shumë se 18 muaj që nga miratimi i kësaj deklarate, asnjë gjë nuk ka ndodhur në këtë drejtim.

Madje kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjetur, Andin Hoti, tha se krijimi i Komisionit të Përbashkët ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nga BE nuk ka ndodhur, derisa bashkëpunimi nga ana e shtetit serb është zero.

“Po vazhdojmë me i bë presion B-së në këtë rast, dhe nuk është që po marrim ndonjë imput prej tyre. Nuk është që ky presion po zbatohet tek Serbia, pse nuk po e bën një gjë të tillë, mund të jenë politika të BE-së që unë nuk i di, por nuk është që BE ka ndarmarrë diçka për mendimin tim me seriozitet në këtë çështje deri më sot…”, tha Hoti.

Lëre që Serbia nuk e zbaton marrëveshjen, por sipas Hotit, ajo duke zvarritur procesin, tashmë po tenton ta bëjë një aneks shtesë të deklaratës për personat e zhdukur, duke kërkuar nga BE-ja që ta fusë UNMIK-un në këtë mes.

“Është një dokument që zakonisht në bisedime nuk janë publike e nuk mundësh me I publiku, por çka mund të then është kjo, se Sërbia kërkon që UNMIK-u me vazhdu me qenë pjesë e Kosovës dhe qe Sërbia po kërkon në njëfar forme që BE mos me ndërhy…” ,deklaroi Andin Hoti, kryetar i KQPZH-së.

Edhe nga Fondi për të Drejtën Humanitare thanë se nuk posedojnë asnjë informacion, nëse grupi punues është krijuar, qysh parashihet me Deklaratën për të Zhdukurit.

“BE është dashur ta krijojë një mekanizëm mbikqyrës dhe kudo që kishin me vlerësu që palët nuk zbatojnë marrëveshjen atëherë mund të kishin përdorë edhe sanksione të ndryshme. Kjo nuk ka ndodhë dhe nuk e dimë që është kriju një mekanizëm i cili e monitoron zbatimin e kësaj marrëveshjeje. Edhe nga pala e BE-së nuk është që ka pasur një tentim që të zbatohet marrëveshja …”, tha Bekim Blakaj nga Fondi për të Drejtën Humanitare.

E në Këshillin e Familjarëve të të Zhdukurve, thonë se mungon trysnia ndërkombëtare ndaj Serbisë për zbatimin e marrëveshjeve të dakorduara.

“Sigurisht aty ka pas edhe njerëz të BE-së dhe bashkësisë ndërkombëtare që kanë qenë pjesmarrës të asaj marrveshje, dhe ata duhet ta shtyjnë. Kosova absolut kurrë nuk do të mund ta shtyjë Serbinë”, tha Ahmet Grajqevci, nga Këshilli i Familijarëve të Zhdukur.

Lidhur me zbatimin e Deklaratës për Personat e Zhdukur dhe çështje të tjera, RTK i ka dërguar pyetje BE-së, për të cilat nuk ka marrë përgjigje.