Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Statovci: Kosova nuk ka garanci konkrete për anëtarësim në NATO apo BE

 
   

Deputetja e grupit parlamentar të VV-së nga Lista Guxo, Jeta Statovci, ka thënë se Kosova nuk ka garanci konkrete nga faktori ndërkombëtar për ta mbështetur anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Sipas saj, në rrethana të tilla Kosova do të vazhdojë të qëndrojë brenda kornizës së marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve në mënyrë që palët të zbatojnë obligimet në mënyrë të barabartë.

“Është nevoja e garancive ndërkombëtare. Grancive të cila Kosova ende nuk i ka pranuar nga faktori ndërkombëtar. Ndaj në rrethana të tilla vazhdohet me qasjen e koordinimit, në sensin që nëse ecen përgjatë kësaj marrëveshje e cila ishte fasilituar nga BE-ja e mbështetur edhe nga SHBA e cila ne mendojnë se duhet të qëndrojmë brenda kësaj kornizës së marrëveshjes. Mirëpo, duhet që palët të jenë në të njëjtën qasje karshi të njëjtave obligime. Duke e parë kontekstin e gjeopolitikës, duke parë ndryshimin e pozicioneve politike në përgjithësi mund të them që nuk ka pasur konkretizim të garancive nga faktori ndërkombëtar në mënyrë që të bënte një repozicioni të qasjes së Kosovës. Në rrethana të tilla të cilat janë ende hipotetike nuk mund të parashikoj se si do të ishte pozicioni i Kosovës. Mirëpo, nga informatat që kemi, nga rrethanat që i kemi parimisht flitet për marrëveshjen franko-gjermane, për marrëveshjen e Ohrit si dhe obligimeve karshi asaj marrëveshje. Nga takimet që kemi pasur nuk ka pasur garanci konkrete, diçka që do të ishte në interes për Kosovën sikurse anëtarësimi në NATO, ose njohja e pesë shtetet mos njohëse të BE-së apo anëtarësimi në BE, diçka që do ta bënte Kosovën që të ri pozicionohej, tha Statovci për rtv21.

Presidentja, Vjosa Osmani, konsideron se Kosova mund ta zbatojë njëanshëm marrëveshjen e Brukselit dhe aneksin e Ohrit nëse merr garanci nga partnerët ndërkombëtarë se në këmbim do të përfitonte njohje dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare. Megjithatë, ajo thotë se deri tani nuk ka pasur përgjigje konkrete për një gjë të tillë.

“Është qëndrimi vetëm i imi, jo domosdoshmërish i institucioneve tjera, e kam thënë, ka të bëjë me mënyrën të cilat ne i kemi shfrytëzuar në vitin 2007-2008. Atëherë kur Serbia nuk zbatonte, ne e kemi pasur me marrëveshjen tonë me partnerët, me aleatët edhe pse Kosova pakon e Ahtisarit e kishte zbatuar në mënyrë të njëanshme ajo çfarë kishte përfituar ishte pavarësia, njohjet, anëtarësimi në organizatat ndërkombëtare. Në qoftë se partnerët ndërkombëtarë janë të interesuar që ne të ulemi me ta dhe zbatimi i marrëveshjeve nga ana e Kosovës të lidhet me përkrahje ndërkombëtare, garanci të sigurisë, njohje dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare kjo është një situatë e re. Megjithatë, deri tani nuk ka pasur përgjigje konkrete nga ana e komunitetit ndërkombëtar për një gjë të tillë”, tha ajo.

Por, nënkryetarja e PDK-së, Mimoza Ahmetaj, e quan të vonuar kërkesën e presidentes për garanci ndërkombëtare. Sipas saj, Kosova është në prag të zgjedhjeve dhe është sureale të realizohet një ide e tillë.

“Për ta menduar dhe besuar një ide të tillë duhet reflektuar pak për rrethanat politike në të cilat Kosova është. Ne jemi më pak se tre muaj para zgjedhjeve parlamentare dhe e kemi një Qeveri jo funksionale bashkë edhe me një Parlament jo funksional. Pse është dashur që të kalojnë katër vjet për të ardhë të një konkluzion të tillë. Ne kemi Presidencën po aq sa edhe Qeverinë në një mandat të plotë në pushtet dhe asnjëherë nuk janë kujtuar dhe nuk kanë reflektuar për një ide dhe për një propozim të tillë. Për më tepër ne humbëm anëtarësimin në Këshillin Evropës, e humbëm mundësinë për marrjen e statusit kandidat në BE. Pas një mori dështimesh, izolimesh të Kosovës dhe vendosjen e masave nga BE-ja ne vijmë të një ide e tillë e cila është surreale të mendohet e lëre më të realizohet”, tha Ahmetaj.