Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Rumania mban zgjedhjet presidenciale

Rumunët janë duke votuar të dielën në rundin e parë të zgjedhjeve presidenciale, të cilat mund të përballin një kandidat nacionalist të krahut të djathtë me kryeministrin aktual të majtë në rundin e ardhshëm.

Trembëdhjetë kandidatë po garojnë për pozitën e presidentit të këtij shteti anëtar të Bashkimit Evropian dhe NATO-s.


Reklamë

Reklamë

Reklamë
ADVERTISEMENT

Këto janë vetëm zgjedhjet e para në të cilat do të votojnë rumunët brenda pak ditësh.

Rezultatet e këtyre proceseve nuk do të përcaktojnë vetëm politikën e brendshme, por edhe atë të jashtme, përfshirë mundësinë e zbehjes së mbështetjes së Rumanisë për Ukrainën, teksa lufton pushtimin rus në shkallë të plotë.

Kur do të mbahen zgjedhjet?

Të parat janë zgjedhjet presidenciale. Presidenti në shkuarje i qendrës së djathtë, Klaus Iohannis e përfundon mandatin e dytë dhe një dekadë në pushtet.

Rundi i parë mbahet më 24 nëntor, dhe nëse asnjëri kandidat nuk fiton më shumë se 50 për qind të votave, dy kandidatët e parë në listë do të përballen në rundin e dytë të 8 dhjetorit.

Ndërkohë, Rumania do t’i mbajë zgjedhjet parlamentare, më 1 dhjetor, datë në të cilën shënohet Dita Kombëtare.

Prioritetet kryesore

Oana Popescu-Zamfir, drejtore e Qendrës për Fokus Global, me seli në Bukuresht, përmend fillimisht që “Rumania do të përballet me dy realitete të rëndësishme në vitin tjetër: kërcënimin e një jostabiliteti më të theksuar në rajon dhe në botë, sidomos në kontekstin e ardhjes së [presidentit të zgjedhur amerikan, Donald] Trump në Shtëpinë e Bardhë”.

Së dyti, ajo vlerëson se “rreziku i thellimit të krizës ekonomike dhe financiare është i madh, marrë parasysh normat e deficitit buxhetor dhe shkallën e inflacionit”, shkruan REL.

Çfarë është me rëndësi për votuesit?

Ekonomia dhe korrupsioni duket se janë në krye të listës së prioriteteve për votuesit.

“Për votuesit kanë rëndësi kushtet e jetesës, ulja e inflacionit, dhe deficiti buxhetor, që është ndër më të lartit në Bashkimin Evropian”, ka thënë Popescu-Zamfir.

Për ata ka rëndësi edhe “shmangia e masave shtrënguese që potencialisht mund të jenë shumë të rrepta”.

Rumania është goditur nga norma të larta të inflacionit në vjetët e fundit.

Më 2022, shkalla e inflacionit ka qenë 13.8 për qind, ndërsa më 2023 shifra ka rënë në 10.4 për qind, sipas të dhënave të Institutit rumun të Statistikave.

Më 2024, kjo shifër është përmbi 5 për qind, një rënia e konsiderueshme, por sërish më e larta në mesin e vendeve të bllokut evropian.

Korrupsioni, qoftë në sektorin publik apo atë privat, e ka dëmtuar rëndë Rumaninë.

Në sektorin shëndetësor publik, dhënia e ryshfetit për të takuar mjekun, apo për të marrë trajtim mjekësor, është diçka që dyshohet se ndodh shpesh, pavarësisht përpjekjeve për të kufizuar këtë praktikë.

Tags: