Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Kur do të hapet Ura e Ibrit?

 
   

Takimi i radhës mes kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi dhe atij të Serbisë, Petar Petkoviq, pritet të mbahet në dhjetor. Megjithatë, nuk dihet nëse në agjendën e këtij takimi, temë diskutimi do të jetë edhe çështja e Urës së Ibrit, e cila ende ka mbetur e mbyllur për makina.

Takimi i radhës mes krye-negociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi dhe atij të Serbisë, Petar Petkoviq, pritet të mbahet në dhjetor të këtij viti. Kështu bëri të ditur emisari evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, përmes një postimi në rrjetin social Facebook.

“Me bashkëbiseduesit e mi në Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, Quai d’Orsay dhe gjetkë, u angazhova në diskutime të rëndësishme mbi dialogun dhe rrugën përpara. Këto biseda janë kritike në formësimin e punës që po bën ekipi im, ndërsa përgatitemi për takimin e ardhshëm të kryenegociatorëve në dhjetor. Pres me padurim periudhën e ardhshme”, ka shkruar Lajçak.

Megjithatë, nuk dihet nëse në agjendën e këtij takimi, temë diskutimi do të jetë edhe çështja e urës mbi lumin Ibër në Mitrovicë.

Insistimi për hapjen e Urës së Ibrit nga Qeveria e Kosovës kishte hasur në rezistencë të madhe ndërkombëtare. Bashkimi Evropian kishte theksuar se hapja e urës është temë e dialogut dhe se çdo vendim për të duhet të merret përmes dialogut.

Ndonëse raporti fillestar që u publikua nga Ministria e Infrastrukturës para disa muajve vlerëson se kjo urë është e qëndrueshme, ura vazhdon të jetë e mbyllur për qarkullim të automjeteve ndërsa është e hapur vetëm për këmbësorë.

Në fillim të vitit 2023, Kuvendi Komunal i Mitrovicës së Veriut kishte marrë një vendim për hapjen e urës. Sipas zëvendës-kryesuesit të Kuvendit Komunal në këtë komunë, hapja e urës është e nevojshme dhe i kontribuon normalizimit.

“I qëndrojmë mbrapa vendimit që kemi marrë si asamble komunale. Duhet të punojmë fort që të hapet ura, por edhe më fort duhet të punojmë që t’i ruajmë bashkësinë ndërkombëtare, këta që po na ruajnë, ndërsa edhe më fort duhet të punojmë me komunitetin shumicë serb dhe t’i bindim që është e drejtë universale dhe interes edhe i tyre hapja e urës. Ky simbol sa më parë të hapet aq më lehtë do të arrihet në fazat e normalizimit që është i nevojshëm për të gjithë qytetarët”, tha Skender Sadiku, zv.kryesues i KK në Mitrovicë të Veriut.

Ani pse nuk ka një datë të caktuar për hapjen e urës, kryeministri Kurti kishte deklaruar se nuk do të lejojnë që kjo çështje të zvarritet pafundësisht./rtk