Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Hapja e fabrikës për municion, ministri Maqedonci jep detaje

 
   

Ministri i Mbrojtjes Ejup Maqedonci ka dhënë detaje shtesë rreth vendimin për formimin e komisionit, i cili siç tha ai, do të hulumtojë dhe do të diskutojë rreth hapjes së një fabrike shtetërore për prodhimin e municionit

Në lidhje me këtë fabrikë, Maqedonci u shpreh se kanë zhvilluar në vazhdimësi komunikim dhe koordinuar me partnerët.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës ka nënshkruar vendimin për formimin e një komisioni i cili do të vë bazamentin e industrisë ushtarake për herë të parë në vendin tonë dhe me këtë ne po fillojmë një epokë të re për kompletimin dhe përmbylljen e sistemit dhe infrastrukturës së Mbrojtjes dhe Sigurisë, duke tentuar që të krijojmë qëndrueshmëri edhe në aspektin e prodhimit dhe furnizimeve me sistemet e armatimit”.

“Ky komision do të hulumtojë dhe do të negocioi si dhe do të diskutojë rreth hapjes së një fabrike shtetërore për prodhimin e municionit që do të jetë edhe fabrika e parë e llojit të tillë në Republikën e Kosovës.

“Për këtë ne kemi zhvilluar në vazhdimësi komunikim, jemi koordinuar me partnerët tanë dhe në këtë rast, pra për hapjen e fabrikës shtetëore të municionit, jemi në kontakt dhe kemi pranuar edhe një raport fizibiliteti me prodhues shtetëror nga Ministria e Mbrojtjes së Republikës së Turqisë. Jemi në fazen e finalizimit të këtij projekti dhe komisioni i cili do të punojë dhe i cili do të kryesohet nga unë, do të finalizojë kontratën me të cilën ne fillojmë për punën për hapjen e fabrikës shtetëore të municionit”, u shpreh ai.

Hapja e kësaj fabrike, sipas Maqedoncit nuk do të do të pengojë zhvillimin e sektorit privat në prodhimin e municioneve.

“Kjo nuk do të pengojë zhvillimin e sektorit privat në prodhimin e municioneve, të gjitha kompanitë inkurajohen që vazhdojnë punën e tyre për hapjen e fabrikave të tilla, duke pasur parasysh faktin që sot më shumë se kurrë, jo vetëm vendi ynë, por të gjithë partnerët tanë, por edhe në botën në tërësi, ka nevojë për plotësimin e stoqeve të municionit dhe armëve, por gjithashtu edhe për krijimin e rezervave, duke pasur parasysh gjendjen aktuale të sigurisë dhe sfidat me të cilat po ballafaqohet bota në përgjithësi, por edhe regjioni ynë”, u shpreh ai.

Ministri gjithashtu tha se ky komision do të hulumtojë dhe do të diskutojë edhe mundësinë për hapjen e një laboratori, siç tha ai, me qëllim dizajnimin e fluturakeve pa pilot.

Tutje, Maqedonci ka shfrytëzuar rastin edhe që të bëjë një urim për “Ditën e Forcës”.

“Shfrytëzoj rastin që të gjithë ushtarakëve aktiv, rezervë, ushtarakëve të pensionuar si dhe personit civil të Forcës së Sigurisë së Kosovës, t’iu uroj “Ditën e Forcës”, 27 nëntor”, u shpreh ministri.