Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Zeqiri shikoi nga afër përfundimin e përkohshëm të punimeve në Ibër Lepenc

 
   

Kryetari i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri bashkë me zëvendës ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Arbër Vokrri, vizituan nga afër vendin ku u punua pa rreshtur për ta sanuar dëmin e shkaktuar nga shpërthimi në kanalin kryesor të Ibër Lepencit.

Në orën 4:25 të mëngjesit, pasi u njoftua për të gjitha proceset e punës së madhe që u bë nga ekipet e sanimit të dëmeve, Zeqiri për Klan Kosova deklaroi se ky sulm terrorist nuk i zbraps institucionet dhe se qytetarët nuk kanë nevojë për shqetësim, pasi çdo gjë do t’i kthehet normalitetit.

“Të gjithë me një angazhim të madh, e bënë të mundur që situata të shkojë drejt normalizimit. Në kohë sa më të shpejtë janë vendosur gypat e nevojshëm, të paktën përkohësisht që të bëhet zgjidhje për furnizimin me ujë dhe mos të ketë ndërprerje. Ky është një sulm terrorist i bandave që kanë për qëllim destabilitetin e vendit”, i tha Klanit i pari i Zubin Potokut.

Zeqiri poashtu deklaroi se ekipet që punuan në kanalin e Ibër Lepencit, e kanë shpëtuar edhe një grua e cila sipas tij ishte ngujuar nga uji që shpërtheu.

Nga ana tjetër Arbër Vokrri deklaroi se Serbia po tenton me çdo kusht ta destabilizojë veriun e vendit.

“Sulmi i paprecedent terrorist që ndodhi në Ibër Lepenc, sikurse edhe dy të tjerat gjatë javës, janë tentativa të Serbisë për ta deztabilizuar këtë pjesë të vendit”, tha ai.

Për zëvendësin e Elbert Krasniqit, Vuçiq ka synim që ta largojë vëmendjen nga situatat e vështir politike në të cilat gjendet në Beograd, dhe këtë po tenton ta bëjë duke krijuar destabilizim në veriun e Kosovës.