Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka shprehur shqetësimin mbi praninë e emblemave të njësiteve ruse në mesin e armatimit të kapur në veri pas sulmit terrorist në Zubin Potok.
Ai në një konferencë për media sonte ka folur edhe për disa emblema të gjetura të UÇK-së në mesin e uniformave, e për të cilat tha se janë false.
Kurti: Harruan ta marrin emblemën për ta vendosur në vendin e shpërthimit
“Ne kemi treguar këto emblema që janë nga uniforma të ndryshme nga njësitë e Federatës Ruse. Kam parë se këtu ekziston edhe një nga UÇK. Është interesante se sot në konferencë për media në Beograd presidenti serb Aleksandar Vuçiq tregon vetëm atë. Sipas mendimit tim ky është një flamur i rremë – begj fals.
Ata kanë harruar ta marrin atë begj dhe ta vendosin në kanalin e Ibër Lepencit. Si mund ta kuptojmë se ka gjithë këto begje këtu dhe ekziston edhe një i UÇK-së.
Ata deshën të kryejnë aktin terrorist e kriminal dhe të vendosin me atë rast një begj të tillë. Nuk e di ndryshe ta kuptoj ndryshe pse ishte aty. Për ne është shqetësuese se këto begje janë nga Federata e Rusisë”, ka thënë ai.