Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Policia tregon armatimin dhe uniformat ushtarake që u gjenden dhe konfiskuan në Zubin Potok

 
   

Policia e Kosovës ka realizuar sot një tjetër operacion bastisjeje në një lokacion të komunës së Zubin Potokut, ku ka zbuluar dhe konfiskuar armë, municion të kalibrave të ndryshëm, pajisje dhe uniforma ushtarake.

Në njoftimin e policisë thuhet së sot me datën 03.12.2024, si rezultat i patrullimeve dhe angazhimeve nga njësite relevante policore, janë siguruar informacione se në një lokacion të komunës së Zubin Potokut, dyshohej se gjenden të fshehura armë, municion dhe pajisje të ndryshme ushtarake.

“Pas verifikimit të informacionit njësite policore kanë kryer kontrollin në objekte ndihmëse ku në një kotec pule, të fshehura nën kashtë dhe në disa fuçi (bure) të mbushura me drithëra u zbuluan disa qese me armë, municion, antiplumb dhe pajisje të tjera ushtarake” , thuhet në njoftimin e policisë.

Me këtë rast policia ka sekuestruar si dëshmi dhe prova materiale një armë AK-47 e demontuar, shtatë karikatorë për AK-47 me nga 30 fishekë, 12 fishekë dhe të zbrazët, pjesë të ndryshme për armë me një kuti plastike, municion të kalibrave të ndryshëm, një helmetë ushtarake, dhjetë rripa për uniforma ushtarake, një kapelë ushtarake, dy çantë ushtarake, një shall kamuflazhi për snajper, një këllëf ushtarak për karikator të armës së gjatë, disa jelekë taktikë ushtarakë, prodhim kinez dhe disa uniforma, xhaketa, këmisha, pantallona, rripa dhe kapela ushtarake me emblema e mbishkrime të llojeve të ndryshme, përfshirë ato ruse etj.

Në njoftim thuhet se “situata e sigurisë në nivel vendi vlerësohet e qetë, aktualisht një situatë e qetë vlerësohet edhe në veri të vendit, por siç e kemi bërë të ditur në vazhdimësi, në veri është një situatë e brishtë, e përcjellë me raste të natyrave të ndryshme kriminale, sikurse rasti i sulmit kriminal terrorist i ndodhur me 29.11.2024 ndaj infrastrukturës kritike në kanalin e ujit në Ibër Lepenc, të komunës së Zubin Potokut”.

“Angazhimet dhe masat shtesë të Policisë së Kosovës po vazhdojnë në veri të vendit, me qëllim që banorëve të asaj zone tu ofrohet siguri, të parandalohen aktet e mundshme kriminale e terroriste, akte këto si ky i fundit që ishte ndaj infrastrukturës kritike, dëmtimi i së cilës mund të kishte sjellë pasoja të mëdha për vendin, për termocentralet e po ashtu do të kishte lënë pa ujë të pijshëm shumë banorë të disa komunave, përfshirë edhe vet banorët në komunat në veri të vendit”, thotë policia.

Tutje thuhet se të gjitha veprimet e mëtejme do të realizohen në bashkëpunim dhe koordinim me Prokurorinë kompetente.

“Policia e Kosovës, mbetet e përkushtuar që të angazhohet në ruajtjen e rendit kushtetues dhe njëherit siguron qytetarët pa dallim se këto masa janë ndërmarrë në interes të sigurisë së tyre, parandalimit të akteve kriminale, ruajtjes së pronës publike dhe asaj private, si dhe sjelljes së personave të dyshuar para organeve të drejtësisë, në mënyrë që qytetarët e asaj zone të kenë një jetë më të qetë e më të sigurt”, thuhet në njoftim.

Për operacionin e sotëm në veri ka njoftuar edhe Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, i cili ka publikuar një video ku shfaqen municione, armë dhe uniforma të gjetura gjatë një bastisjes të sotme në veri të Kosovës.

Sipas ministrit, këto materiale ishin fshehur nën një ahur dhe përfshinin uniforma të ushtrive të ndryshme.