Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

“Lufta” për mbrojtjen e kufirit, armët që nuk kanë të sosur në veriun e Kosovës

 
   

Vetëm në ditët e para pas sulmit në kanalin e Ibër Lepencit në veriun e banuar me shumicë serbe policia në dy operacione të ndryshme ka sekuestruar arsenal të madh armësh të ndryshme së bashku me veshje e pajisje të tjera ushtarake

Megjithatë këto janë vetëm dy raste të ditëve të fundit, pasi pas sulmit terrorist të vitit të kaluar në Banjskë policia arriti të sekuestrojë armatim një sasi të madhe për të cilat thanë se dolën nga depot ushatarake të Serbisë.

Armatimi i sekuestruar së fundmi ngriti dilemat nëse grupet terroriste po arrijnë të fusin sërish armë në Kosovë përkundër se u shtuan kontrollimet në brezin kufitar, si nga autoritetet vendore ashtu edhe ato ndërkombëtare.

“Sipas disa vlerësimeve një pjesë e arsenalit që në vazhdimësi zbulohet janë pjesë e arsenalit që është gjetur më herët. Patjetër që ka edhe prurje të reja. Ne ndajmë pjesën më të madhe të kufirit me Serbinë dhe një pjesë e tij është vështirë i kontrollueshëm. Fakti që Policia e Kosovës po i zbulon këto raste dëshmon se po kemi një luftë të suksesshme”, tha Xhelal Sveçla.

Deputetët opozitarë, pjesë e Komisionit të Sigurisë, e pranojnë se kufiri me Serbinë është vështirë të mbahet nën kontroll por thonë se problemi është se veriu tashmë është shndërruar në problem të sigurisë nga problem politik siç ishte. 

“E keqja është se veriu është bërë problem i sigurisë edhe armët në këtë vijë kufitare që kemi na me Serbinë që është 364 kilometra është problem të monitorohet dhe të mbrohet”, tha deputeti Berisha.

Lëvizja Vetëvendosje thotë se me ardhjen e saj në pushtet për herë të parë kanë filluar operacione për konfiskimin e armëve pasi ato kanë munguar në të kaluarën. Sipas tyre, kanë mbyllur edhe 29 rrugë ilegale në veri që shfrytëzoheshin për kontrabandë.

“Në atë pjesë të territorit të Republikës së Kosovës asnjëherë nuk ka pas fushatë të grumbullimit të armatimit të mbetur qysh nga passlufta. Në Kosovë disa herë janë zhvilluar fushata të grumbullimi, dorëzimit apo konfiskimit të armatimit por në atë pjesë nuk ka ndodh”, deklaroi Enver Dugolli.

Sipas një vendimi të KFOR-it, Policia kufitare e Kosovës ka të drejtë të afrohet deri në 1 kilometër afër vijës ndarëse me Serbinë. Vet KFOR është përgjegjës për ruajtjen e kufijve mes dy vendeve, që 60% e saj shtrihet në pjesën veriore. 

Për ekspertët e sigurisë, gjithë ky armatim që zbulohet tregon vetëm për investimin e Serbisë për të luftuar rendin kushtetues dhe sovranitetin e Kosovës përmes grupeve kriminale.

“Me këtë armatim po na vihet në pah e gjithë figura kriminale e cila ishtre përgatitur që pas Banjskës shtëpi dhe pikat apo qendrat e caktuara ku strukturat e Serbisë kishin fshehur këto armatime të përdoren në rast se do të ketë nevojë për avancim dhe qëndrueshmëri të operacionit brenda territorit të Republikës së Kosovës”, deklaroi eksperti Drizan Shala

Opozita mendon se “diçka nuk është duke funksionuar” në komunat veriore dhe se inteligjenca duhet të kishte mundësinë edhe të parandalonte sulmin e fundit.

“Pata besuar kur thoshin këta [Qeveria e Kosovës] i kemi eliminuar banda kriminale e krejt, thoshin që sovraniteti e këto fjalë të mëdha mirëpo po shihet që nuk janë duke funksionuar gjërat siç duhet”, shtoi Berisha.

Megjithatë, pushteti është i kënaqur me punën e të gjithë organeve të sigurisë por paralajmëron se armë e elemente kriminale ka ende në veri për çka puna e policisë do të vijojë.

“Nuk do të ndalen as tani e tutje për shkak se jemi të sigurt që mbetje të atij grupi terrorist që zhvilloi inkursion ndaj vendit tonë ka ende edhe ato mbetje të atij grupi janë të predispozuara të zhvillojnë aksione të tilla terroriste me qëllim që të shkaktojnë edhe panik edhe pasiguri te qytetarët”, tha deputeti Dugolli.

Gjatë javës së kaluar, Kosova u trondit nga dëmtimi me eksploziv i kanalit të Ibër Lepencit. Ndërsa këtij akti terrorist iu paraprinë edhe dy sulme me granata dore ndaj Policisë së Kosovës dhe Komunës së Zveçanit.