Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, tha të premten se Rusia mund të vendosë raketa të reja hipersonike me rreze të mesme veprimi, të njohura si Oreshnik, në territorin e aleates së vet, Bjellorusisë, në pjesën e dytë të vitit 2025.
Putin e tha këtë duke iu përgjigjur një kërkese të presidentit bjellorus, Alyaksandr Lukashenka, në një samit në Minsk, ku dy liderët nënshkruan një marrëveshje për mbrojtje të ndërsjellë.
“Meqë sot ne nënshkruam një marrëveshje për garanci të sigurisë duke përdorur të gjitha forcat dhe mjetet në dispozicion, mendoj se vendosja e sistemeve si Oreshnik në territorin e Republikës së Bjellorusisë është punë që bëhet”, tha Putin.
“Mendoj se kjo do të bëhet e mundur në gjysmën e dytë të vitit të ardhshëm, derisa rritet prodhimi i këtyre sistemeve në Rusi, dhe derisa këto sisteme raketash fillojnë të përdoren nga forcat strategjike ruse”, shtoi ai gjatë komenteve të transmetuara në televizion.
Rusia e shkrepi raketën Oreshnik për herë të parë mbi qytetin ukrainas Dnipro, më 21 nëntor. Putini tha asokohe se ajo ishte përgjigje ndaj përdorimit të raketave balistike amerikane, ATACMS, dhe raketave britanike, Storm Shadoë, nga Ukraina për herë të parë, për ta goditur territorin rus me lejen e Perëndimit.
Putin ka thënë se Rusia mund ta përdorë përsëri raketën Oreshnik, përfshirë për t’i goditur “qendrat e vendimmarrjes” në Kiev, nëse Ukraina vazhdon ta sulmojë Rusinë me armë perëndimore me rreze të gjatë.
Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, i tha gazetarit amerikan Tucker Carlson në një intervistë të publikuar të enjten mbrëma se përdorimi i Oreshnikut nga Moska ishte shenjë që Perëndimi duhet ta marrë seriozisht.
Të premten, Putin i tha Lukashenkas se Bjellorusia – e cila kufizohet me anëtarët e NATO-s Poloninë, Letoninë dhe Lituaninë – do t’i përcaktojë objektivat për raketat Oreshnik të vendosura në territorin e saj.
Putin tha se traktati i ri i mbrojtjes së ndërsjellë “do ta bëjë të mundur mbrojtjen e sigurt të Rusisë dhe Bjellorusisë”, raportoi agjencia shtetërore e lajmeve TASS.
Muajin e kaluar, Putin i nënshkroi ndryshimet që ulin pragun për përdorimin e armëve bërthamore si përgjigje ndaj një game më të gjerë të sulmeve konvencionale dhe zgjeroi ombrellën bërthamore të Moskës për të mbuluar Bjellorusinë.
Armët bërthamore u tërhoqën nga Bjellorusia pas rënies së Bashkimit Sovjetik në vitin 1991, por Putin njoftoi vitin e kaluar se Rusia po vendos raketa bërthamore taktike atje si mjet frenimi kundër Perëndimit.
Lukashenka tha në tetor se për çdo përdorim të armëve bërthamore ruse të vendosura në Bjellorusi nevojitet leje paraprake nga ai.
Tags: BjellorusiOreshnikputin