Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka kritikuar Qeverinë e kryeministrit Albin Kurtit për mungesën e masave të duhura për mbrojtjen e objekteve jetike në veri të Kosovës.
Në Debat Plus, Limaj theksoi se sulmi ndaj kanalit kryesor të Ibër-Lepencit në Zubin Potok është një tregues i qartë i dështimit për të garantuar sovranitetin dhe sigurinë kombëtare.
“Nuk është diçka që nuk e kemi ditur. Këtu vazhdimisht është folur për luftë. Ju po flisni për luftë, për situata të rënda, dhe në fund ndodh një veprim terrorist, një agresion ndaj shtetit. Dhe gjëja e parë që duhet bërë është ruajtja e objekteve vitale. Kjo do të thotë që këta, për katër vjet, duke e ditur çfarë po vinte nga atje, nuk kanë marrë masa për të ruajtur objektet kryesore vitale, nga të cilat varet gjithçka.
Duhet kërkuar përgjegjësi, nuk shkon puna duke thënë: ‘Serbia e ka bërë, u kry’. Po, ata bëjnë agresion, por çfarë masa ke marrë ti për të ruajtur objektet tua? Për çfarë sovraniteti po flet? ‘Kam shtrirë sovranitetin’. Ku, nëpër kafe të Mitrovicës, apo duke bërë patrullime në rrugë? Sovraniteti është këtu, duke ruajtur objektet tua vitale”, ka thënë Limaj në Debat Plus.