Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Ambasadorja amerikane paralajmëron sërish zgjerimin e listës së zezë në Maqedoninë e Veriut

Ambasadorja amerikane në Shkup, Angela Aggeler, ka paralajmëruar për herë të dytë brenda javësh se Uashingtoni po shqyrton mundësi të reja për të vendosur sanksione ndaj personave të tjerë të dyshuar për krim dhe korrupsion në Maqedoninë e Veriut.

Aggeler e bëri këtë paralajmërim të martën, një ditë pasi Departamenti amerikan i Shtetit (DASH) njoftoi se ka vendosur ish-zëvendëskryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, dhe gjykatësin e Gjykatës së Apelit, Enver Bexheti, në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara.


Reklamë

Reklamë

Reklamë
ADVERTISEMENT

“Ka një sërë sanksionesh në dispozicion nga Qeveria amerikane, siç e dini. Ka sanksione të Thesarit. Ka sanksione të zgjeruara të mundshme për anëtarët e tjerë të familjes së atyre që janë emëruar. Pra, në këtë pikë, të gjitha ato shqyrtime janë ende në proces”, tha Aggeler gjatë një konference për shtyp në Shkup.

Ajo nuk përmendi emra ose afate kohore, por shtoi se SHBA-ja do të vazhdojë t’i mbajë përgjegjës “aktorët e korruptuar”.

“[Futja në listën e zezë] e individëve që janë përfshirë në korrupsion kriminal, është një proces që vazhdon. Ka një listë shumë dinamike, në kuptimin që ajo vazhdimisht shtohet, dhe provat shqyrtohen shumë me kujdes në Uashington”, theksoi Aggeler.

Grubi, i cili ishte zëvendëskryeministër i Maqedonisë së Veriut nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) gjatë mandatit të kaluar 2020-2024, dhe gjykatësi Bexheti, sipas DASH-it, “janë përfshirë në korrupsion të madh duke pranuar ryshfet për t’i minuar proceset gjyqësore të lidhura me dënimin penal të Sasho Mijalkovit, ish-drejtorit të shërbimit sekret”.

Aggeler, në përgjigje të pyetjeve nga gazetarët, nuk dha hollësi specifike për rolin e Grubit në këtë çështjen e Mijalkovit, por theksoi se provat shqyrtohen me kujdes të veçantë para se të publikohen.

“Dhe vetëm pasi ka prova të qarta dhe të dukshme për shkelje, individët sanksinohen”, shtoi ajo.

Në listën e zezë janë përfshirë edhe anëtarët e ngushtë të familjes së Grubit.

Në një reagim në Facebook të hënën vonë, Grubi tha se u njoftua për vendimin e DASH-it nga mediat dhe e mohoi të ketë qenë i përfshirë në korrupsion.

BDI-ja tha të martën, përmes një komunikate të shkurtër, se e respekton vendimin e DASH-it për anëtarin e saj. Ajo tha “mbetet e përkushtuar ndaj bashkëpunimit strategjik me SHBA-në”.

Nga ana tjetër, zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, i cili është pjesë e koalicionit shqiptar VLEN në Qeveri, vlerësoi se vendimi i DASH-it për vendosjen e Artan Grubit në listën e zezë është “konfirmim për angazhimet e drejta të koalicionit”.

Mexhiti i bëri thirrje anëtarësisë së BDI-së që ta braktisin, siç e quajti ai, “anijen që po fundoset”.

Ndërkohë, partia maqedonase VMRO-DPMNE, e kryeministrit Hristijan Mickoski, e quajti sanksionimin e Grubit dhe Bexhetit “një turp të madh për shtetin”.

Lidhur me gjykatësin Enver Bexheti, VMRO-ja tha se ai mbante në sirtarë rastin e Sasho Mijalkovit, i cili, sipas saj, dëshmon për “partizimin” e gjyqësorit.

“Gjykatësit e mbështetur nga Artan Grubi dhe BDI-ja, dalëngadalë po përfundojnë në listën e zezë të SHBA-ve, së bashku me anëtarë të BDI-së”, thuhet në komunikatën e VMRO-së.

Mijalkovi është gjithashtu në listën e zezë të SHBA-së që nga viti 2022./rel