Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka prezantuar planin e tij për zhvillimin e infrastrukturës dhe energjisë në Kosovë gjatë një takimi me qytetarët në Mitrovicë.
Me premtimin për të transformuar vendin në një model rajonal të zhvillimit, Abdixhiku ka theksuar do të përfundojnë të gjitha magjistralet kryesore.
“Përfundimin e të gjitha magjistraleve kryesore, duke përfshirë Prishtinë-Podujevë me investim 50 milionë euro dhe Prishtinë-Mitrovicë me investim 30 milionë euro. Përfundimin e Autostradës së Anamoravës, që lidh Prishtinën me Gjilanin dhe Dheun e Bardhë, me një investim prej 170 milionë eurosh. Ndërtimin e Unazës së Jashtme të Kryeqytetit, një projekt me vlerë totale prej 350 milionë eurosh, për ta lehtësuar trafikun dhe rritur efikasitetin në kryeqytet. Vazhdimin e Autostradës “Ibrahim Rugova” deri në Merdarë, me kosto prej 150 milionë eurosh si pjesë e investimeve rajonale të BE-së. Ndërtimin e 200 vendndalesave për autobusë dhe vetura në rrugët rajonale me investim 10 milionë euro”, ka shkruar Abdixhiku.
Në sektorin energjetik, Abdixhiku propozon ndërtimin e një centrali me gaz. Sipas tij, kapacitetet e energjisë së ripërtëritshme do të dyfishohen.
Po ashtu, planifikohen investime në hidrocentrale reversibile dhe bateri dhe heqja e TVSH-së për energjinë elektrike për të lehtësuar barrën financiare mbi qytetarët.
Abdixhiku theksoi se realizimi i këtyre projekteve është jetik për të përshpejtuar zhvillimin e vendit dhe për ta sjellë Kosovën më pranë standardeve evropiane.
“Ndërtimin e një Centrali me Gaz prej 500 MW për tranzicion dhe stabilitet energjetik me investim prej 500 milionë eurosh. Gazifikimin e Kosovës për ngrohje qendrore dhe industri, me linjë furnizimi prej Hanit të Elezit deri në Mitrovicë (120 milionë euro). Kapacitet të ri prej 1000 MW të energjisë së ripërtëritshme nga parqet solare dhe të erës brenda 4 vitesh. Infrastrukturë rezervë për ruajtjen e energjisë elektrike përmes hidrocentraleve reversibile dhe baterive me investim 50 milionë euro nga buxheti shtetëror dhe 250 milionë euro nga kompani private. Eliminimin e TVSH-së për energjinë elektrike për ta lehtësuar barrën financiare mbi familjet kosovare. Planin Kombëtar për Vetura Elektrike i cili eliminon të gjitha obligimet doganore dhe tatimore për regjistrimin e veturave elektrike në vend. Dyfishimin e projektit të kogjenerimit në Prishtinë dhe Obiliq me investim 120 milionë euro.
Me mua si Kryeministër, me ekipin tim të dëshmuar dhe me programin tonë ‘Rruga e Re’, Kosova do ta ketë një infrastrukturë rrugore moderne dhe një sistem energjetik stabil për një ardhme të qëndrueshme”, ka shkruar më tej Abdixhiku.