Qindra maqedonas kanë marshuar të martën mbrëma në Shkup kundër ndotjes së ajrit, duke e akuzuar qeveritë e vendit për mostrajtimin e problemit të ajrit të ndotur që vazhdon të jetë kërcënim për shëndetin e qytetarëve.
Protestuesit e nisën marshimin nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor të Maqedonisë së Veriut, duke mbajtur pankarta në dorë me mbishkrime si: “Në Shkup jetojnë ndërtesa dhe automjete, vetëm ne njerëzit ngulfatemi” dhe “Partitë, a ju japin ajër të pastër?”, dhe vazhdua drejt Kuvendit para se ta mbaronin marshin para ndërtesës së Qeverisë.
Shkupi muajt e fundit vazhdimisht është renditur ndër qytetet më të ndotura në botë, sipas kompanisë botërore IQAir, e cila mat cilësinë e ajrit.
Organizatorët e protestës, përfshirë nismën “Qyteti i gjelbër human” dhe disa OJQ të tjera, theksuan se shkak për protestën janë rastet e shumta të vdekjeve të lidhura me ndotjen e ajrit, të cilat, sipas tyre, përbëjnë 17.7% të vdekshmërisë së përgjithshme në vend.
“Çdo vit në Maqedoninë e Veriut shënohen thuajse 4.000 raste të vdekjeve që shkaktohen për shkak të ekspozimit ndaj grimcave PM2.5”, thanë nga “Qyteti i gjelbër human”.
“Shumë shpesh përgjegjësit duan të thonë se nuk ka ndonjë shkop magjik për zgjidhjen e ndotjes. Por ne e dimë se ka një shkop të tillë, e ai është buxheti, i cili është mbi 6 miliard euro. Shpenzohen miliarda, ndërsa për ajrin asgjë. Pse? Për shkak se buxheti është i rezervuar për diçka tjetër”, deklaroi Jane Dimeski nga “Mundësi për Qendrën”.
Ata gjithashtu thanë se kanë kaluar 14 vjet nga vendosja e stacionit të parë për matje të ndotjes së ajrit në rrugën “Maqedonia” në Shkup, ndërsa që atëherë deri më tani problemi mbetet i njëjtë, shkruan REL.
“Qeveritë dhe politikanët ndërrohen, ndërsa ajri i ndotur mbetet njësoj”, tha një qytetar.
Ata i paraqitën disa kërkesa, ndër të cilat, që Qeveria ta detyrojë Drejtorinë për Punë Hidrometeorologjike në Maqedoninë e Veriut (DPHM) të nisë parashikimin e inversioneve të temperaturave në luginat.
Gjithashtu, u kërkua që një numër i madh shkollash dhe çerdhesh në vend, veçanërisht në kryeqytet dhe komuna, të kalojnë në sisteme ngrohjeje ekologjike, duke zëvendësuar naftën dhe mazutin që përdoren aktualisht.
Rrjedhimisht, gjatë stinës së dimrit, përveç Shkupit edhe qytete tjera si, Manastiri, Tetova, Gostivari, Kërçova, apo edhe Ohri, kanë përqendrime të larta të grimcave PM2.5 dhe PM10.
Nga aspekti shëndetësor, në fillim të vitit 2024 Instituti i Shëndetit Publik publikoi raportin “Ndotja e ajrit në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe rreziqet ndaj shëndetit”, sipas të cilit pothuajse 18 për qind e vdekshmërisë së përgjithshme në Maqedoninë e Veriut mund t’i atribuohet ekspozimit ndaj përqendrimeve aktuale të grimcave PM2.5.
Të dhënat e fundit nga Agjencia Evropiane e Mjedisit Jetësor (EEA) tregojnë se ajri i ndotur është shkaktar i mbi 5000 vdekjeve të parakohshme në Maqedoninë e Veriut.