Një rast mashtrimi në rrjete sociale është denoncuar në Policinë e Vlorës, ku një 41-vjeçare akuzohet për mashtrimin e një 35-vjeçari dhe marrjen e një shume të konsiderueshme parash. Sipas informacioneve të dhëna nga policia, viktima, shtetasi A.R., banues në fshatin Kropisht të Selenicës, ka kallëzuar se shtetasja M.G. e ka mashtruar përmes rrjetit social Facebook, duke i marrë 9 mijë euro gjatë muajve të fundit.
Policia e Vlorës ka njoftuar se, pas kallëzimit të bërë nga 35-vjeçari, Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare ka referuar materialet përkatëse në Prokurori dhe ka nisur procedimin penal për shtetasen M.G., e cila është 41 vjeçe dhe banuese në Pogradec.
“Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare i DVP Vlorë referoi materiale në Prokurori dhe nisi procedimi penal për shtetasen M. G., 41 vjeçe, banuese në Pogradec, pasi ka bërë kallëzim shtetasi A. R., 35 vjeç, banues në fshatin Kropisht, Selenicë, se kjo shtetase i ka marrë 9000 euro, gjatë muajve të fundit, duke e mashtruar nëpërmjet rrjetit social Facebook”, njofton policia./euronews.al