Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Guri: Që mbi 5 muaj të rinjve nuk u del paga në “Super Puna” nga Ministria e Financave

 
   

Kandidati për deputet nga LDK-ja, Paris Guri, thotë se të rinjtë që janë punësuar përmes platformës “Super Puna” nuk është duke u dalë paga nga Ministria e Financave.

Guri thotë se bizneset që kanë bashkëpunuar me këtë platformë janë duke pasur telashe që një vit, madje që pesë muaj nuk janë duke u transferuar asnjë cent.

“’Super Puna’ është një platformë që e bashkëfinancon një të ri nëse dëshiron me gjet punë me një biznes. A e di se çfarë ka ndodhur aty? Ka mbi pesë muaj që të rinjve nuk ju del paga prej Ministrisë së Financave. Ka një vit që nuk ju del me rregull. Është evidentuar që një vit nuk ju del me rregull e që pesë muaj nuk ju del fare. Unë kam pasur edhe postime për këtë problem”, deklaroi ai në emisionin “Info Nata” .

Ai thotë se të rinjtë po marrin pagë 200 euro vetëm nga bizneset, por jo nga Ministria e Financave.

“Një kompani e një personi që mu është adresuar tregon se si është detyruar me lëshu punën 13 të rinj që i ka marrë përmes platformës ‘Super Puna’, për arsye që kanë mbetur me 200 euro që ia ka jep pronari i biznesit. Pra, biznesmeni e ka kryer punën e obligimin e vetë sipas kontratës. Mirëpo, Ministria e Financave nuk është duke e kryer obligimin”, tha ai.

Platforma “Super Puna” është lansuar në fillim të shkurtit të këtij viti, ku nga kjo Qeveria synon të mbështesë bizneset duke paguar deri në 6 muaj rrogat minimale për të rinjtë që punësojnë.