Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Listat e kandidatëve edhe me persona që “shkelën” ligjin – Legjislatura e nëntë s’garanton deputetë me integritet të lartë

 
   

Listat e kandidatëve për deputetë nuk mund të “prodhojë legjislaturë të pastër me ligjin”, pasi në lista mund të përfshihen persona të cilët kanë qenë të dënuar para tri vitesh.

Sipas njohësve të çështjeve të drejtësisë, në listat e kandidatëve për deputetë janë futur edhe persona me probleme me ligjin, teksa kritika kanë edhe për Ligjin për Zgjedhje i miratuar në vitin 2023.

Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, ka thënë për Eo se ky ligj e ulë integritetin e kandidatëve dhe të Kuvendit të Kosovës, pasi në lista mund të përfshihen persona të cilët kanë qenë të dënuar para tri vitesh.

“Instituti i Kosovës për Drejtësi në rastin e miratimit të Ligjit për Zgjedhje në vitin 2023, edhe para miratimit të tij në grup punues kishte kërkuar që kjo çështje të mos ndryshojë apo të rrisë integritetin e kandidatëve për deputetë, fatkeqësisht si partia në pushtet por edhe partitë opozitare vendosën që ta ndryshojnë kriterin duke përcaktuar si kriter që secili qytetar i Republikës së Kosovës ka të drejtë të kandidoj në zgjedhje lokale e parlamentare nëse në tri vitet e fundit nuk ka një aktgjykim të formës së prerë me burgim efektiv, pra një vit burgim efektiv. Kjo pa pikë dyshimi e ulë integritetin e kandidatëve, e ulë integritetin e institucionit të Kuvendit të Kosovës, sepse në lista mund të përfshihen persona të cilët kanë qenë të dënuar ndoshta edhe para tri viteve apo që kanë procedura penale të cilat në një farë formë ndikojnë që Kuvendi i Kosovës e lista zgjedhor të mos ketë kredibilitetin, integritetin që e kërkon në një shtet apo shoqëri demokratike”, ka thënë Miftaraj.

Ndonëse e quan të mangët edhe ligjin e kaluar, vlerëson se ka qenë më i duhuri si ky aktual, pasi “situata ka kaluar nga një ekstrem në ekstremin tjetër”.

“Sigurisht sepse ligji i vjetër ka kërkuar që kushdo që ka qenë i dënuar me aktgjykim të formës së prerë pa marrë parasysh dënimin me burg efektiv, me kusht apo me gjobë, iu ka pamundësuar kandidimi, kjo si shkak që një numër i madh i kandidatëve për zgjedhjet e vitit 2021 iu kufizua kjo e drejtë. Edhe pse ndoshta ligji i vjetër ka qenë shumë ekstrem, por IKD ka kërkuar që të mos kalojmë ka një ekstrem në ekstremin tjetër, ku tanimë mund të themi që e kanë ndërtuar një ekstrem të ri sepse ka një numër të kandidatëve të cilët janë të dënuar në tri vitet e fundit por që kemi një numër të madh të kandidatëve që kanë procedura penale aktive”, ka thënë Miftaraj.

Miftaraj ka thënë nuk është pasqyrë e mirë për Republikën kur deputetët herë ulën në bankën e të akuzuarve e herë në atë të ligjvënësit.

“Ne kemi parë që në listat aktuale, si Vetëvendosje dhe AAK kanë numër të madh të personave që janë në procedura penale, qoftë korruptive apo edhe të huliganizmit apo veprave tjera penale, të cilat në një far forme do të ndikojnë integritetin e Kuvendit. Është jo pasqyrë e mirë t’i shohim deputetët që një kohë ta kalojnë në seancat e Kuvendit, një kohë nëpër gjykata apo siç kemi parë shpesh që deputetëve ju kërkojnë gjyqtarëve ta akomodojnë agjendën e seance në rastet e tyre me agjendën e Kuvendit të Kosovës”, ka deklaruar Miftaraj.

Ndërsa avokati Ardian Bajraktari, konsideron se në këto zgjedhje ka persona me integritet, në të kundërtën konsideron se do të shkelet neni 30 i Ligjit për Zgjedhjet

“Me sa kemi parë pjesa dërmuese politike ka avancuar në drejtim të ofrimit të një liste me integritet për faktin se pjesa dërmuese e tyre nuk kanë probleme me ligjin qoftë në procedura aq më pak në vendime gjyqësorë të dënueshme për çka natyrisht që janë në kundërshtim me nenin 30 të Ligjit për Zgjedhjet. Vlerësoj që procesi pasues do të rezultojë me certifikimin e këtyre kandidatëve dhe pastaj natyrisht pres dhe shpresoj që Kosova edhe këtë herë të dëshmojë që është prioritare në rajon për nga mënyra e organizimit të zgjedhjeve”, ka thënë Bajraktari, teksa ka edhe një apel për partitë politike që më shumë të angazhohen në prezantim të programit.

“Unë shpresoj që fushatat zgjedhore të karakterizohet me ofrim të programeve dhe më pak në diskurs të sharjeve e fyerjeve ndërmjet njëri tjetrit. Mirëpo pritet të shihet vlerësoj po ashtu që duhet një kampanjë vetëdijesuese dhe informuese nga KQZ-ja për faktin se kemi ligjin e ri për organizimin e zgjedhjeve, i cili me ligjin e ri parashihet që lista alternative nga pestë që ishte do të ishte me 10 kandidat për të votuar. Pastaj edhe risi të tjera besoj që në ditët në vazhdim KQZ-ja do të informoj opinionin”, u shpreh Bajraktari

Ai ka thënë se është inkurajuese fakti për futjen e kandidatëve të rinj në listat zgjedhore.

“Unë vlerësoj që po për faktin se siç e thash kemi avancim edhe për brenda subjekteve politike që i ofrojnë listës zgjedhore me integritet po ashtu është inkurajuar që kemi një numër të konsiderueshëm të kandidatëve të rinj të cilët i hynë garës zgjedhor. Do ta kenë sfidë për faktin që do të ballafaqohen me kandidat të tjerë që kanë përvojë, megjithatë një proces i mirë organizuar do të prodhoj kandidat ose deputet të ardhshëm të cilët do të jenë në funksion të kryerjes së detyrave dhe përgjegjësive të tyre kushtetuese për faktin se Kuvendi i Kosovës është institucion i rëndësishëm dhe ushtrimi i kontrollit dhe mbikëqyrjen e mekanizmave dhe përfshirë edhe Qeverinë”, ka thënë Bajraktari.