Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Kurti takon zëvendëskryeministrin e Sllovenisë

 
   

Kryeministri Albin Kurti ka takuar zëvendëskryeministrin e Sllovenisë, njëkohësisht ministrin e Punës, Familjes, Çështjeve Sociale dhe Mundësive të Barabarta të Sllovenisë, Luka Mesec.

“Bashkë diskutuan për marrëdhëniet bilaterale Kosovë – Slloveni, mundësitë për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit dhe për rolin e mërgatës sonë në forcimin e urave ndërmjet dy popujve dhe vendeve. Gjithashtu bashkëbiseduan edhe për situatën gjeopolitike në botë me theks në ndikimet e mundshme në rajonin e Ballkanit perëndimor”, thuhet në komunikatën e zyrës së kryeministrisë. 

Kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen e vazhdueshme të Sllovenisë ndaj Kosovës, si në rrafshin evropian e ndërkombëtar ashtu edhe në fushën e sigurisë, ku trupat sllovene në Kosovë shërbejnë në kuadër të misionit të NATO-s, KFOR.

Të mërkurën, me rastin e vizitës së zëvendëskryeministrit slloven Mesec në Kosovë ku u mirëprit nga ministri i Financave, Punës dhe Trasfereve, Hekuran Murati, u iniciua marrëveshja për sigurime shoqërore me Slloveninë. Kjo marrëveshje do të lehtësojë barrën e qytetarëve të Kosovës që jetojnë në Slloveni, si dhe anasjelltas, duke u mundësuar atyre të realizojnë të drejtën për pension në vendin ku jetojnë.