Dhomat e Specializuara të Kosovës këtë javë do të mbajnë një konferencë për ecurinë e çështjes në rastin e ri gjyqësor “Thaçi dhe të tjerët”, që ka të bëj me administrimin e drejtësisë.
Gjykatësja Masselot, mes të tjerash, ka ftuar Thaçin dhe Smakajn që gjatë kësaj seance të vetëdeklarohen në lidhje me fajësinë ose pafajësinë e tyre, nëse dëshirojnë ta bëjnë këtë.
Nëse të akuzuarit vendosin që të mos vetëdeklarohen në lidhje me fajësinë ose pafajësinë e tyre më 17 dhjetor, Gjykatësja Masselot ka treguar synimin e saj për të kërkuar që vetëdeklarimi në lidhje me fajësinë ose pafajësinë e tyre të përfshihet në dosjen e çështjes deri më 7 janar 2025.
Nëse vetëdeklarimi në lidhje me fajësinë ose pafajësinë e të akuzuarve nuk përfshihet në dosjen e çështjes deri në datën e lartcekur, Gjykatësja e procedurës paraprake, në përputhje me rregullën 95 të Rregullores, do të bëjë deklarimin në emër të tyre se janë të pafajshëm.
Gjykata Speciale në Hagë konfirmoi me 6 dhjetor një aktakuzë të re kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, Bashkim Smakajt, Fadil Fazliut, Isni Kilajt dhe Hajredin Kuçit.
Thaçi akuzohet për tentativë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, përmes pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi.
Sipas akuzës, Thaçi “në periudhën 12 prill të 2023 deri më 2 nëntor të 2024-së gjatë vizitave në paraburgim, u ka dhënë informacione konfidencial për dëshmitarët e Zyrës së Prokurorit së Specializuar Isni Kilajt, Bashkim Smakajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit”.
Në aktakuzë më tej pretendohet se Thaçi bashkërendoi tri grupe të veçanta, të formuara me Smakajn, me Fazliun dhe me Kilajn, dhe persona të tjerë kundër të cilëve nuk janë ngritur akuza, si dhe me Kuçin, me synimin për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve të ZPS-së në kontekstin e gjykimit aktual për krime lufte Thaçi dhe të tjerët.
Pos Thaçit, aktakuzë është ngritur gjithashtu ndaj Bashkim Smakajt, Fadil Fazliut, Isni Kilajt dhe Hajredin Kuçit për tentativë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare.