Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

“Diçka e çuditshme po ndodh”, Trump flet rreth dronëve në disa shtete amerikane

Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, pretendoi të hënën se ushtria e vendit “nuk dihet përse” po mban të fshehtë disa hollësi lidhur me dronë të pashpjegueshëm që po fluturojnë natën mbi shtetet lindore amerikane, por Shtëpia e Bardhë më vonë minimizoi të dhënat dronët.

“Ushtria jonë e di … diçka e çuditshme po ndodh”, u tha zoti Trump gazetarëve në rezidencën e tij në Mar-a-Lago të Floridës, në konferencën e tij të parë të gjerë me gazetarët që kur u zgjodh për një mandat të ri katër-vjeçar në Shtëpinë e Bardhë, mandat që e fillon muajin e ardhshëm.


Reklamë

Reklamë

Reklamë
ADVERTISEMENT

Për javë të tëra, banorët e shtetit të Nju Xhersit si dhe disa shteteve të tjera në veri dhe jug të vendit, përgjatë vijës bregdetare të Oqeanit Atlantik, kanë njoftuar se kanë parë më shumë se 5,000 dronë.

Por autoritetet kanë arritur në përfundimin se shifra është jashtëzakonisht e fryrë.

Këto zhvillime u kanë dhënë zë teorive të ndryshme konspirative, mes tyre se bëhet fjalë për akte spiunazhi të vet qeverisë amerikane, apo se dronët janë lëshuar nga Irani, nga një anije që ndodhet jashtë ujërave teritoriale, në lindje të Shteteve të Bashkuara.

Në Shtëpinë e Bardhë, zëdhënësi për Sigurinë Kombëtare, John Kirby, u tha gazetarëve: “nga vlerësimi ynë në këtë fazë rezulton se aktiviteti përfaqëson dronë tregtarë, dronë të zbatimit të ligjit ose dronë që ngrihen nga individë për arsye vetjake dhe të gjithë veprojnë ligjërisht”.

Gjatë një komunikimi me gazetarët, përpara se sa të niste konferenca e zotit Trump me gazetarët, gjeneralmajori i Forcave Ajrore, Pat Ryder, zëdhënësi i Pentagonit, u tha gazetarëve se “deri më tani, nuk ka asnjë të dhënë se pamjet e raportuara të droneve paraqesin kërcënim për sigurinë kombëtare ose sigurinë publike, ose mund të kenë lidhje me aktorë të huaj “.

“Ne jemi të ndërgjegjëshëm mbi faktin se ka shqetësim publik dhe shumë pyetje”, tha zoti Ryder. “Ne jemi gjithashtu të përkushtuar që të ofrojmë sa më shumë informacion sa më shpejt të jetë e mundur për këtë”, shtoi ai.

Në konferencën me gazetarët që zgjati një orë, zoti Trump preku një gamë të gjerë temash, pesë javë përpara se të marrë sërish pushtetin dhe të bëhet presidenti i dytë pas Grover Cleveland në vitet 1890 që do të drejtojë Shtëpinë e Bardhë për një mandat të dytë jo të njëpasnjëshëm.

Ai tha se këtë herë po pritet nga udhëheqësit botërorë në mënyrë shumë më të favorshme se sa në vitin 2017, pas fitores së tij të parë presidenciale.

“Në të vërtetë është e kundërta e armiqësisë. Ata po më kërkojnë”, tha ai. “Kam folur me mbi 100 vende”.

Zoti Trump tha se nuk do t’i jepte fund përdorimit të vaksinës së poliomielitit të pranuar prej kohësh në SHBA, por vuri në pikëpyetje detyrimin për një sërë vaksinash për fëmijët, në disa shtete amerikane.

“Unë nuk jam mbështetës shumë i madh i vaksinave të detyrueshme”, tha ai dhe pyeti në mënyrë retorike: “Pse është kaq e lartë shkalla e autizmit” në Shtetet e Bashkuara, megjithëse shkencërisht nuk është provuar lidhje midis autizmit dhe vaksinave. Ai gjithashtu ngriti pikëpyetjen se përse amerikanët “po paguajnë shumë më tepër se njerëzit në vendet e tjera” për ilaçe.

Zoti Trump tha se po bënte gjithçka mundej për të ndalur luftën gati trevjeçare të Rusisë ndaj Ukrainës dhe se do të kishte biseda të vazhdueshme me Presidentin rus Vladimir Putin dhe Presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy për t’i dhënë fund luftimeve.

Presidenti i zgjedhur përsëriti planin e tij për të vendosur tarifa kundër importeve nga disa prej partnerëve më të mëdhenj tregtarë të Shteteve të Bashkuara.

“Tarifat do ta bëjnë vendin tonë të pasur”, tha ai, megjithëse importuesit paguajnë tarifat dhe shpesh ia kalojnë kostot e tyre klientëve që blejnë mallrat./VOA