Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Mehmeti: Partitë në një televizion kanë hapësirë reklamuese vetëm 90 minuta në ditë

 
   

Derisa ka mbetur edhe pak kohë deri në nisjen e fushatës zgjedhore për zgjedhjet e 9 shkurtit, kryetari i Komisionit të Pavarur të Mediave Jeton Mehmeti ka folur në detaje për rregulloren që ka miratuar institucioni që ai drejton, për obligimet që kanë mediat gjatë kësaj periudhe deri në përfundim të zgjedhjeve.

Mehmeti tregoi se rregullorja e re përcakton obligime të përgjithshme për mediet e obligime specifike për KPM-në.

Ai theksoi se me rregulloren e re është vendosur kufiri i sasisë së kohës që secili transmetues mund t’ua shesë secilit subjekt politik.

I pyetur si është bërë draftimi i rregullores, ai tregoi se për të janë mbajtur tri dëgjime publike me përfaqësues të medieve për çka tha se u ka ndihmuar mjaftueshëm që t’i marrin në konsideratë të gjitha komentet, vërejtjet e sugjerimet nga ata që preken nga kjo rregullore.

Sipas tij, kanë arritur në formulim që është i mjaftueshëm, i qartë që edhe zbatohet dispozita ligjore dhe nuk afektohen mediat në kuptimin financiar gjatë fushatës zgjedhore.

“Për shembull ligji i obligon të gjitha mediat që ta bëjnë publike listën e çmimeve me të cilat ato do ta shesin hapësirën e vetë reklamuese. Aty nuk mund të intervenojmë më herët përpos të tregojmë se ku duhet të publikohet kjo listë e çmimeve. E dyta, u kërkon medieve t’u ofrojë secilit subjekt të certifikuar politik një hapësirë pa pagesë. Po ashtu u kërkon medieve që gjatë fushatës të evidentojnë kohën në bazë të ditarëve e këta ditarë t’ua dërgojnë KPM-së që pas verifikimit i bën publike ata ditarë”.

Ai tutje sqaroi se janë dy ditarë, njëri për kohën pa pagesë që u është dhënë partive politike e tjetri për kohën me pagesë.

“Aty duhet të vendoset se cili subjekt ka marr atë minutazhë, sa minuta u janë dhënë, në fund të javës ata ditarë i dorëzohen KPM-së e KPM-ja i bënë publike ata ditarë”, tha ai.

Tha se janë të vetëdijshëm që jo të gjitha subjektet politike kanë mundësi financiare të blejnë hapësirë mediale, ndërkaq sqaroi se një subjekt politik në një medium nuk mund t’i ketë hapësirë më shumë se 90 minuta në ditë.

“Në këtë aspekt u është dhënë mundësi transmetuesve që hapësirën që nuk kanë arritur ta shesin, mund t’ua shesin atyre subjekteve politike që kanë interesim, por deri të një kufi i caktuar dhe ky kufi sipas rregullores tonë është 90 minuta, apo një orë e gjysmë brenda ditës dhe kësi soji një subjekt politik nuk mund të blejë gjithë hapësirën reklamuese në një televizion, por vetëm rreth 90 minuta në ditë në një televizion të caktuar”, sqaroi ai.

Mehmeti tutje tregoi se 6 orë është hapësira që mund të shitet me pagesë për secilin televizion, pjesa tjetër tha se mund të konsumohet në bazë të intervistave, debateve televizive e kështu me radhë.

“Këtu kemi vendosur një kufi e ky kufi është që koha në të cilën televizionet mund të pasqyrojnë aktivitete e fushatës qoftë me pagesë, qoftë pa pagesë është nga ora 12:00 e ditës deri në ora 24:00 të natës, nga 24 orë të programit 12 orë mund të shfrytëzohen për aktivitete të fushatës. Në këtë mënyrë edhe mbahet publiku me informatat e tjera të nevojshme”, vijoi ai, në intervistën e tij për RTK Prime”.

Sipas tij, ky kufizimi i kohës do të qojë edhe të kualiteti i asaj se çfarë ofrojnë partitë politike nëpër televizione.