Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, mirëpriti një delegacion të rëndësishëm të investitorëve nga Izraeli, të udhëhequr nga afaristi dhe filantropisti i njohur Eyal Moshe Waldman.
Ky takim pason një fazë të parë të bashkëpunimit në fillim të këtij viti dhe synon forcimin e lidhjeve ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Izraelit, me investime të mundshme në sektorë strategjikë si prodhimi i pajisjeve elektronike, distilimi i uiskit dhe energjia e gjelbër.
Ministrja Hajdari, bashkë me Ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, theksuan se Kosova ka një ambient të favorshëm për investime, duke ofruar mundësi të shkëlqyera për zhvillimin e industrisë dhe inovacionit.
Ajo shtoi: “Ky angazhim është një dëshmi e qartë se Kosova po njihet ndërkombëtarisht si një destinacion i sigurt dhe tërheqës për investitorët e huaj. Bashkëpunimi me investitorë të tillë do të ndihmojë në përshpejtimin e zhvillimit ekonomik dhe krijimin e mundësive të reja për punësim dhe rritje.”
Në takimin e zhvilluar në Prishtinë, delegacioni izraelit diskutoi mundësitë për të hapur fabrika të reja, ndërsa MINT dhe KIESA angazhuan për gjetjen e pronave publike për realizimin e këtyre projekteve, duke u fokusuar në industrinë prodhuese dhe energjinë e rinovueshme.
“Raporti i fundit nga FDI Intelligence e rendit Kosovën në vendin e dytë në Evropën në zhvillim dhe të pestin në botë për tërheqjen e investimeve të huaja direkte, një shenjë e forcës së politikave të zhvillimit të biznesit dhe konkurrencës në vend”.
“Me këtë angazhim të investitorëve të huaj dhe mbështetje të vazhdueshme nga institucionet e Kosovës, vendi është në rrugë të mirë për të forcuar pozitat e tij në tregjet ndërkombëtare dhe për të krijuar mundësi të reja për zhvillim ekonomik të qëndrueshëm”, ka shkruar Hajrani në Facebook.