1
Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj ka thënë se çdo person që ftohet për dhënie të dëshmisë ka përgjegjësi ligjore bashkëpunimi me sistemin e drejtësisë.
Në një deklaratë gjatë konferencës së fundvitit të Prokurorisë Speciale, Isufaj ka deklaruar se ligji është i njëjtë për të gjithë, përfshirë edhe për zyrtarët e lartë qeveritarë.
“Ligji është i njëjtë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, përfshirë edhe për zyrtarët e lartë shtetërorë. Ftesa për dhënie dëshmie është një procedurë e rregullt dhe çdo person që ftohet ka përgjegjësi ligjore të bashkëunoj me institucionin e drejtësisë”, ka thënë Isufaj.
“Prandaj, ju bëj thirrje gjitha institucioneve publike, përfshirë edhe qeverinë, që të tregojnë përkushtim ndaj sundimit të ligjit dhe të shmangin retorikën që synon politizimin e drejtësisë. Nuk jam këtu për të komentuar deklaratat e askujt, sepse fare nuk më interesojnë. Po flas për atë që unë e ndiej”, ka deklaruar Kryeprokurori Isufaj.
I pyetur për komentet e Kurtit se “Isufaj është regjisori i një filmi” që do ta paraqiste atë si të dyshuar për korruppsion, Kryeprokurori i Speciales ka thënë se Prokuroria nuk bën skenare.
“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës nuk janë për të bërë skenare. Ne punën tonë e kemi të përcaktuar me ligj dhe me Kushtetutë dhe nuk bëjmë dallime as për nga pozita, e as për nga emri”, ka deklaruar ai.
Isufaj mohoi të jetë në dijeni të ketë pasur raste të intervistimit të kryeministrave të mëhershëm në Zyrën e Kryeministrit.
“Unë me sinqeritetin më të madhin ua them se unë nuk kam informacione nëse ndokush ndonjëherë është intervistuar në Zyrën e Kryeministrit. Ndoshta edhe mund të ketë, por unë nuk di. Të paktën në këto pesë vite sa unë jam Kryeprokuror i Prokurorisë Speciale, situata të tilla nuk ka”, ka thënë Isufaj.
Isufaj, po ashtu ka mohuar të jenë bërë dallime politike në rastet e ndjekura nga Prokuroria Speciale. Ai tha se aktualisht ka pesë aktakuza të ngritura për ish-ministra të kabineteve të qeverive të kaluara dhe se aktualisht nuk ka asnjë aktakuzë të ngritur për ministra në detyrë.