Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Dritan Rexhepi ekstradohet nga Turqia në Shqipëri

Dritan Rexhepi është ekstraduar këtë të mërkurë nga Turqia në Shqipëria nën masa të jashtëzakonshme sigurie.

Në pamjet e bëra publike nga policia duket që ai është pritur në aeroportin në Turqi edhe nga policë shqiptarë të armatosur e të maskuar, ndërsa me dhjetëra efektivë të forcave speciale e kanë pritur atë në Rinas, shkruan A2 CNN.


Reklamë

Ndaj tij është caktuar masa e sigurisë “arrest në burg” për zhdukjen e Jani Prengës, i dënuar me 4 vite burg për falsifikim nga gjykata e Fierit. Në vitin 2013, është dënuar nga Gjykata për Krimet e Rënda, me 25 vjet burgim, për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Plagosja e rëndë me dashje”. Në vitin 2010, është dënuar nga Gjykata e Apelit e Firences, Itali, me 16 vjet burgim, për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.

Mësohet se ai është dërguar menjëherë në burgun 313 në Tiranë.

Rexhepi, që cilësohet si udhëheqës i kartelit të drogës me emrin “Bello”, kërkohej nga Italia, Belgjika, Spanja dhe Shqipëria nën akuzat për trafik droge nga Amerika e Jugut në Evropë.

Në Shqipëri, Dritan Rexhepi gjithashtu po gjykohet në mungesë në Gjykatën e Posaçme si porositës i rrëmbimit dhe vrasjes së Jan Prengës, në 17 janar të vitit 2020.

I konsideruar si mjeshtri i arratisjeve nga burgjet, në mars të 2006-s, Rexhepi u shpall fajtor dhe u dënua me 25 vjet burgim në mungesë për vrasjen e dy policëve në Fushë-Krujë.

Ai u arratis nga burgjet në Shqipëri, Itali dhe Belgjikë. Në Ekuador vuajti gati 10 vjet burg kur u arrestua në vitin 2014, prej ku edhe ndërtoi perandorinë e trafikut të drogës.

Pas lirimit, iku nga Ekuadori dhe hyri në Turqi me pasaportë false kolumbiane. U arrestua gjatë një operacioni të policisë turke më 10 nëntor 2023.