Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

​Bedri Hamza në Ferizaj: Bizneset do të lirohen nga TVSH-ja për 5 vjet

 
   

Ditën e dytë të fushatës për zgjedhjet e 9 shkurtit Partia Demokratike e Kosovës e ka vazhduar me një tubim madhështor në Ferizaj, në të cilin kandidati për kryeministër Bedri Hamza shpalosi planet që do të realizojë si pjesë e programit të tij qeverisës gjatë katër vjetëve të ardhshëm.

Hamza premtoi se me PDK-në në qeverisje do të ketë një zhvillim më të mirë në ekonomi, arsim, shëndetësi e siguri për të gjithë qytetarët e Kosovës.

Hamza: Rritja e pagave nuk është bamirësi, por detyrim që njerëzit të mos e lëshojnë Kosovën

“Vendi ynë viteve të fundit është përballë me një qeverisje pa rezultate. Nëse shohim rezultatet në ekonomi dhe normën mesatare deri në fund të vitit 2019 është shumë më e lartë prej vitit 2020 deri në fund të vitit 2024. Çmimet bazike janë rritur prej 40 deri ne 100 për qind. Pagat janë të njëjta, qytetarët tanë janë varfëruar, shëndetësi, mungesë e barnave esenciale, në arsim, rezultatet e PISA-së tregojnë se ku qëndron Kosova. A ka më pak se zero njohje, 0 anëtarësime? Për më keq, vendi është nen sanksione. Në programin tonë kemi paraparë reforma strukturore. Këtu ka biznesmenë të suksesshëm, TVSH-ja do të paguhet në brendi, bizneset do të lirohen për 5 vjet. Qëllimi jonë është përkrahja e punëtorëve në sektorin privat. Ne do të themelojmë edhe gjykatën e punës, do të krijojmë fondin e papunësisë në rast se e humbin vendin e punës do të kenë përkrahjen e shtetit për një periudhë të paktën 80 për qind derisa të gjejnë punë. Do të rrisim pagat 50 për qind. Rritja e pagave nuk është bujari e bamirësi, por detyrim i çdo qeverie që njerëzit të mos e lëshojnë Kosovën. Do të ketë rritje prej 50 për qind për familjet e dëshmorëve, invalid të luftës, rritje 50 për qind për veteranët e luftës, rritje të pensioneve, për nënat e reja 100 euro subvencione për çdo fëmije që shkon në çerdhe private. Ne do të investojmë në një shëndetësi moderne, ku njerëzit tanë nuk kanë nevojë të shqetësohen për trajtimin e tyre shëndetësor. Buxheti për barnat esenciale do të dyfishohet. Ne do të bëjmë arsim për te ardhmen, digjitalizim mësimin tërë ditor në shkolla, bursa në vit do të ndajmë nga 25 milionë për studentët e Kosovës”, ka thënë Hamza.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka thënë se në zgjedhjet e ardhshme së bashku me qytetarët do të ndërtojnë një Kosovë më të mirë.

Krasniqi: Do të ndërtojmë një Kosovë që qytetarët e saj e meritojnë

“Kjo është partia e Hashim Thaçit e Kadri Veselit, partia që ka në ADN Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Premtimi për një të nesërme më të mirë nuk është më vetëm një shpresë. Kjo mundësi është vetëm një hap larg. Ju premtoj, edhe në emër të Bedri Hamzës, që së bashku do të ndërtojmë një Kosovë, ku ëndrrat tuaja nuk shuhen ende pa u nisur. Nuk mund të mohojmë e as të mbyllim sytë përballë një qeverisje të dështuar që kemi pasur në Kosovë në këta katër vjetët e fundit, të cilët jo vetëm që nuk kanë bërë asgjë për qytetarët tanë, por edhe kanë rrezikuar edhe ato arritura që ne i kemi bërë. Është fatkeqësi që potenciali i Kosovës është shpërdoruar këta katër vjet. Kjo nuk është Kosova që e meritoni. Sot nuk është koha për të humbur shpresën, sot është koha që qytetarët tanë ta rikthejnë besimin që e meritojnë”, tha Krasniqi.

Kryetari i Ferizajt Agim Aliu tha se qytetarët nuk kanë kohë të presin premtime të parealizuara dhe më 9 shkurt ata do të vendosin për një Kosovë më të mirë.

Aliu: Qytetarët nuk durojnë më stagnim, koha për Kosovën më të mirë vuloset më 9 shkurt

“Ora e fitores po afron. Koha e PDK-së ka ardhur, koha për Kosovën më të mirë, vuloset më 9 shkurt. E gjithë Kosova e njeh fuqinë e PDK-së, kur lëviz përpara PDK, lëviz përpara edhe zhvillimi i Kosovës. Nuk kanë kohë më të presin, nuk durojnë më stagnim, nuk pranojnë prapakthimin. Mijëra, sikur sonte nga çdo anë e çdo kënd njëzëri duan shpresë, zhvillim, punë reale, mirëqenie e stabilitet. Koha dhe qasja e dënimit të shtetit, të qytetarëve të tyre po numëron kohën e fundit. Ferizaj, është dëshmia më kuptimplote, shembulli më tipik i qeverisë së Partisë Demokratike të Kosovës”, tha Aliu.

Në këtë tubim u prezantuan edhe kandidatët për deputet nga Dega e PDK-së në Ferizaj.