Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

A kanë kushte të mjaftueshme zjarrfikësit për të reaguar në situata emergjente?

 
   

Janë reaguesit e parë në situata emergjente.

E gjithë mënyra e reagimit dhe plani operacional, bie mbi supet e zjarrfikësve.

Një rast i tillë, ndodhi edhe të enjten e 16 janarit në lagjen Emshir të kryeqytetit.

Sfiduese për zjarrfikësit, doli të ishte paniku tek banorët, që nuk ishte në proporcion me rrezikun.

“Qytetarët në kësi raste, duhet gjithmonë ta largojna panikun dhe t’iu binden uniformave të zjarrfikësve, sepse këta janë që e bëjnë vlerësimin e se kur duhet të evakuohen banorët që janë nëpër ndërtesa. Ma mirë është t’iu binden instruksioneve të profesionistëve dhe çdo sen pastaj shkon mire”, ka thënë shefi i stacionit të zjarrfikësve Prishtina II, Abdusamed Shkodra.

Ndonjëherë problematike për ta, rezulton numri i kufizuar i stafit.

“Pajisjet që janë të nevojshme për intervenim, brigade profesionale e zjarrfikësve i posedon. Ndoshta numri i personelit është për momentin i mangët, po shpresojmë se së shpejti do të vijnë edhe zjarrfikës të ri, pasi konkursi është i hapur tash.”

Rrjedhimisht, kërkohet që kjo kategori e reagimit emergjent, të jetë në fokusin e institucioneve.

“Institucionet duhet të investojnë më shumë në kapacitetet e zjarrfikësve, qoftë në ato mjete e pajisje, apo në mënyrë profesionale. Kur e them këtë mendoj se mjetet dhe pajisjet e tyre duhet të jenë adekuate për intervenime të tilla dhe duhet të kenë trajnime profesionale që kur të paraqitet ndonjë rrezik apo intervenim, zjarrfikësit të kryejnë punën me efikasitet”, ka thënë njohësi i emergjencave, Tahir Ahmeti.

Në vazhdimësi zjarrfikësit nga rajonet e ndryshme të Kosovës, janë ankuar për numër të vogël të stafit, për çka tanimë është i hapur konkursi.