Sot shënohen 14 vite nga 21 Janari, kur gjatë protestës së opozitës, asokohe Partia Socialiste, mbetën të vrarë katër protestuesit Aleks Nika, Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj.
Në vitin 2021, 10 vite pas ngjarjes së rëndë, kryeministri Edi Rama i shpalli “Dëshmorë të Atdheut” katër protestuesit e vrarë.
“Drejtësia vonon po nuk harron’, thotë populli dhe sot kush po e vonon drejtësinë për 21 Janarin, nuk duhet të harrojë se fëmijët e dëshmorëve po bëhen prindër duke pritur drejtësinë,” shkroi z. Rama në rrjetet sociale me rastin e 14-vjetorit të ngjarjes.
Me qindra qytetarë u ngritën në protestë më 21 janar 2021 para kryeministrisë me thirrje kundër kryeministrit të atëhershëm Sali Berisha, ndërkohë që vetëm pak minuta pas fillimit të tubimit, nisën të hidhen gurë dhe sende të forta në drejtim të forcave të rendit.
Situata u tensionua më tej me tentativën e disa protestuesve për të hyrë në oborrin e kryeministrisë. Ajo që pasoi ishin të shtënat e armëve brenda territorit të kryeministrisë, që lanë të vdekur Hekuran Dedën, Ziver Veizin, Faik Myrtajn dhe Aleks Nikajn.
Ky i fundit, pas mjekimit paraprak në Spitalin Ushtarak të Tiranës u dërgua për kurim të mëtejshëm në Turqi, ku dhe vdiq pas disa ditësh.
Kryeministri Berisha doli në konferencë për shtyp, duke deklaruar se donin t’i bënin puç, ndërkohë që opozita u shpreh se shteti kishte vrarë katër qytetarë të pafajshëm shqiptarë dhe vendosi në krye të akuzës si urdhërues të vrasjeve kryeministrin Berisha dhe ish-ministrin e Brendshëm, Lulzim Basha.