Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Deklarata e presidentit Bush në ditën kur ndërroi jetë Ibrahim Rugova

Më 21 janar, 2006, ballinat e gazetave prestigjoze të botës perëndimore kishin raportuar lajmin e kobshëm të vdekjes së presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova.

Rugova, i cili vdiq nga kanceri në mushkëri, kishte krijuar një imazh të moderuar në botë.

Ai konsiderohej mik i shumicës së përfaqësive perëndimore, përfshirë edhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Kjo dëshmohej në një deklaratë të lëshuar nga presidenti amerikan Xhorxh Bush në ditën e vdekjes së Rugovës.

“Jam thellësisht i pikëlluar për vdekjen e presidentit Ibrahim Rugova”, shkruante në deklaratën e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. “Presidenti Rugova për shumë vite udhëhoqi fushatën për paqe dhe demokraci në Kosovë. Ai ishte mik i Shteteve të Bashkuara dhe fitoi respektin e botës për qëndrimin e tij parimor kundër dhunës”, thuhej në deklaratë.

“Gjatë gjithë viteve të konfliktit, ai ishte një zë i arsyes dhe i moderuar që i ndihmoi popullit të Kosovës të vendoste bazat për një të ardhme paqësore. Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara për të punuar me popullin e Kosovës për të ndërtuar një të ardhme stabile, demokratike dhe të begatë”.

Në fund të deklaratës, Bush i shprehte ngushëllime familjes së Rugovës dhe tërë popullit të Kosovës.

“Në emër të popullit të Shteteve të Bashkuara, unë dhe Laura i shprehim ngushëllimet tona familjes së Presidentit Rugova dhe popullit të Kosovës”, përfundonte deklarata.