Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Rusia shpreh mbështetje për sovranitetin dhe integritetin terrritorial të Sirisë

Një delegacion rus shprehu mbështetje për sovranitetin e Sirisë ndërsa takoi administratën e re në Damask të martën, duke shënuar vizitën e parë të tillë në vendin e shkatërruar nga lufta që nga rënia e regjimit të Asadit.

Zëvendësministri i Jashtëm Mikhail Bogdanov dhe i dërguari i posaçëm presidencial për Sirinë, Aleksandër Lavrentiev takuan udhëheqësin e ri të Sirisë Ahmed al-Sharaa.


Reklamë

Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve siriane SANA, delegacioni rus shprehu mbështetje për “ndryshimet pozitive që po ndodhin në Siri”.

Ata diskutuan gjithashtu rolin e Rusisë në rindërtimin e marrëdhënieve me popullin sirian përmes masave të prekshme duke përfshirë kompensimin, rindërtimin dhe rimëkëmbjen.

Administrata siriane pohoi angazhimin për t’u marrë me të gjitha palët e interesuara “në një mënyrë parimore për të ndërtuar një të ardhme për Sirinë bazuar në drejtësi, dinjitet dhe sovranitet”, raporton AA.

Vizita u konfirmua edhe nga zyrtarë rusë, duke përfshirë zëdhënësin e Kremlinit Dmitry Peskov.

Bogdanov e përshkroi takimin pothuajse tre-orësh si konstruktiv dhe se Moska vazhdon të mbështesë integritetin territorial dhe sovranitetin e Sirisë, sipas agjencisë ruse të lajmeve TASS.

Bashar al-Assad, lideri i Sirisë për gati 25 vjet, u arratis në Rusi pasi grupet anti-regjim morën kontrollin e Damaskut në një ofensivë rrufe muajin e kaluar, duke i dhënë fund sundimit prej dekadash të familjes së tij.

Rusia kishte qenë aleate e regjimit të rrëzuar të Asadit në Siri dhe aktualisht ka dy baza të mëdha ushtarake në vend.