Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Këta janë të arrestuarit kosovarë, anëtarë të grupit kriminal që falsifikonte dokumente

Një grup i strukturuar kriminal që merrej me falsifikimin e pasaportave të SHBA-së dhe dokumenteve të BE-së kundrejt fitimit është shkatërruar gjatë një operacioni të gjerë policor.

Grupi përbëhej nga shtetas kosovarë e shqiptarë.

Si rezultat, janë arrestuar 6 persona dhe janë sekuestruar 15 dokumente të dyshuara si të falsifikuara, përfshirë pasaporta dhe karta identiteti amerikane, italiane, angleze, rumune dhe shqiptare.

Në pranga kanë rënë dy shtetas nga Kosova dhe katër të tjerë me banim në Tiranë.

“Në kuadër të këtij operacioni, u arrestuan në flagrancë shtetasit K. D., 35 vjeç, banues në Tiranë, K. G., 57 vjeç, banues në Prizren, dhe G. L., 28 vjeç, banues në Kaçanik. Gjithashtu, u ndaluan me iniciativë shtetasit K. D., 56 vjeç, L. B., 58 vjeç dhe E. D., 20 vjeçe, të tre banues në Tiranë”, thuhet në njoftim.

Dokumentet e falsifikuara prodhoheshin në Kosovë dhe më pas silleshin në Shqipëri ku dhe shiteshin. Pasaportat amerikane kushtonin deri në 3 mijë euro, ndërsa ato të BE shkonin nga 2 mijë deri në 2500 euro.

“Hetimet zbuluan se grupi u siguronte dokumente të falsifikuara shtetasve që kërkonin të kalonin ilegalisht në vendet që kërkojnë viza”, informoi sot Policia e Shqipërisë.