
Koalicioni i organizatave të shoqërisë civile për monitorimin e zgjedhjeve, Demokracia në Veprim , rikujton vlerësimin se dita e zgjedhjeve më 9 shkurt u zhvillua në përgjithësi në një atmosferë të qetë dhe pa incidente serioze.
Në reagimin e DnV-së thuhet se megjithatë, procesi u cenua nga dështimi i sistemit elektronik të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, për publikimin e rezultateve preliminare, duke e lënë publikun pa informata deri ditën e nesërme.
“Sipas legjislacionit në fuqi, në vendvotimet e rregullta, fillimisht numërohen vetëm votat për subjektet politike, ndërsa verifikimi i tyre dhe numërimi i votave për kandidatët e subjekteve politike duhet të nisë ditën pas zgjedhjeve”.
“Procesi i numërimit të votave për kandidatët duhej të kishte filluar dje, të hënën në orën 08:00 të mëngjesit në 38 Qendrat Komunale të Numërimit . Megjithatë, për shkak të atyre që KQZ-ja i konsideron “probleme teknike dhe administrative”, ky proces ende nuk ka nisur deri në këtë moment. Vetëm sot, KQZ ka njoftuar se procesi do të fillojë në orën 16:00, por vetëm në katër komuna. Ky veprim është një improvizim që krijon përshtypjen se situata është nën kontroll, kur në fakt realiteti është ndryshe”, thuhet në njoftim.
Demokracia në Veprim i bën thirrje Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që pa vonesa dhe në mënyrë transparente të ndajë informacione për ecurinë e procesit të numërimit në Qendren Komunale të Numërimit dhe pranimin e fletëvotimeve nga jashtë përmes postës.
“Gjithashtu, kërkojmë që KQZ-ja të angazhohet më intensivisht me të gjitha kapacitetet e saj, në mënyrë që të mos tejkalohen afatet ligjore dhe të mos krijohen vonesa që mund të ndikojnë në certifikimin e rezultateve”, thuhet tutje në njoftimin e DnV-së.
Duke mos i ndarë informatat me kohë dhe në mënyrë transparente, KQZ do të mund të dëmtojnë besimin e qytetarëve në rezultatet e zgjedhjeve, gjë që është e papranueshme, sidomos pas një dite të zgjedhjeve demokratike.
Demokracia në Veprim do të vazhdojë monitorimin e procesit dhe do të informojë publikun për çdo zhvillim të mëtejshëm.