2
Kryetari i AAK’së, Ramush Haradinaj, e ka quajtur “kapje të institucioneve të pavarura” vonesën e publikimit të rezultateve preliminare të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).
Haradinaj me anë të një shkrimi tha se kjo ka ndodhur si shkak i zëvendësimit të kuadrove profesionale me militantë partiakë dhe “angazhimi i kompanive të teknologjisë informative përmes tenderëve të dyshimtë njëburimore”.
“Raportimet që po marrim nga terreni dëshmojnë për një skemë të organizuar të manipulimit të rezultateve zgjedhore. Përmes kontrollit politik të KQZ-së dhe ‘sistemit të dështuar teknik’ i cili po ndodh qëllimshëm, po tentohet të ndryshohet vullneti i qytetarëve. Kjo është goditje e rëndë ndaj demokracisë dhe vlerave për të cilat kemi luftuar”, deklaroi Haradinaj.
“Ne qëndrojmë të palëkundur në mbrojtje të votës së lirë dhe sistemit demokratik. Nuk do të lejojmë që vota e qytetarëve të tjetërsohet përmes skemave manipulative. Do të përdorim të gjitha mekanizmat institucionalë dhe ligjorë për të mbrojtur integritetin e procesit zgjedhor dhe vullnetin e sovranit.
I bëj thirrje institucioneve të drejtësisë që me urgjencë të marrin masa dhe të hetojnë manipulimet e deritashme dhe të parandalojnë degradimin e mëtejshëm të procesit”, shton ndër të tjera ai.