
Policia greke ka goditur një grup të strukturuar kriminal të përfshirë në gjobëvënie dhe shantazhe ndaj bizneseve në kryeqytetin Athinë.
Pas një operacioni të mirë-organizuar, forcat e rendit arrestuan pesë persona, mes tyre tre shqiptarë, një grek dhe një egjiptian.
Njëri nga shqiptarët e ndaluar rezulton të jetë anëtar i grupit famëkeq “Lions”, i njohur për aktivitetet e tij kriminale.
Të arrestuarit janë, U.H, 41 vjeç nga Tirana, R.K, 43 vjeç nga Klosi, N.M, 42 vjeç nga Selenica, Një 34-vjeçar grekë, Një 38-vjeçar egjiptian.
Grupi kriminal kishte krijuar një skemë zhvatjeje, duke lëvizur nëpër zona të ndryshme të Athinës, si Patisia, Kypseli dhe Agios Panteleimonas.
Ata hynin në biznese, kryesisht kafene dhe dyqane, dhe i kërcënonin pronarët duke u kërkuar para në këmbim të “mbrojtjes”.
Në shumë raste, ata linin një copë letër me një numër telefoni dhe prisnin që bizneset t’i kontaktonin për të negociuar shumën e pagesës.
Sipas mediave greke, grupi përbëhej nga persona me një fizik të fuqishëm, çka i ndihmonte në përhapjen e frikës dhe në shmangien e denoncimeve nga ana e viktimave. /euronews.al