Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Gjykimi ndaj zyrtarëve komunalë të Istogut, dëshmitarët tregojnë se si ishin pajisur me leje ndërtimi për objektet banesore dhe afariste

 
   

Në seancën e shqyrtimit gjyqësor ndaj pesë zyrtarëve komunalë të Istogut, dëshmitarët Visar Blakaj dhe Arbnor Nurqaj, kanë treguar se si u pajisën me leje të ndërtimit për objektet banesore-afariste.

Në këtë rast, Jashar Blakaj, Rrustem Gashi, Rexhep Blakaj, Isa Hoxha dhe Besart Dreshaj, po akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare, konflikt interesi, dhe falsifikim të dokumentit zyrtar.

Dëshmitari Visar Blakaj deklaroi që me të akuzuarit Rexhep dhe Jashar Blakaj nuk kishte raporte tjera por zyrtare të punës kur ishte nevoja.

I njëjti shtoi se merret me ndërtim si pronarë i kompanisë “Swiss LB”.

Për studion projektuese “Arch Art” tha se aty ka pasur punë dhe që kishte biseduar me Gëzim Blakaj.

Në emër të firmës së tij ai tha se kishte patundshmëri, dhe se për atë tokë kishte aplikuar për kushte ndërtimore.

Në kohën kur kishte aplikuar tha se kontrata kishte qenë e noterizuar për të gjitha të drejtat, pronën që e kishte blerë nga Ramë Blakaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas dëshmitarit, me planin e vjetër urbanistik, i ishte lejuar B+4 ose B+5 kate.

Mirëpo, kur kishte aplikuar ishte në dijeni se ishte duke u përgatitur harta e re zonale, ku sipas tij ata si ndërtues nuk kishin qenë të kënaqur me harta të vjetra.

Më pas ai tha se kishte bërë kërkesë për ngritje të etazhitetit për 3 apo 4 kate.

Ai pohoi se në shtim të etazhitetit të parcelës 1745/2, është kërkuar për shtim B+P+6K+KT, dhe se atë projekt e kishte punuar tek Gëzim Blakaj.

Dëshmitari Blakaj, deklaroi se në kohën kur është marrë në pyetje objekti kishte qenë ende në ndërtim dhe prokuroria tha se nuk iu kishte thënë që ta ndërprerjen punën.

Sipas dëshmitarit, në punën me inxhinier dhe të tjerë deri në ndërtimin e objektit nuk kishte qenë i përfshirë asnjëri nga të akuzuarit apo familjarët e tyre.

Më pas u dëgjua edhe dëshmitari Arbnor Nurqaj, pronar i subjektit afarist “NN Noki”, subjekt i cili tha se merret me instalimet elektrike, ku në kunadër të saj mirren edhe me ndërtim.

Në bazë të kritereve se si janë lejuar kushtet tha se ka marrë vendim nga Drejtoria e Istogut.

Dëshmitari Nurqaj, tha se kishte aplikuar për B+7K, por nuk ia kanë lejuar, por B+P+5K+KT në bazë të vendimit të kushteve ndërtimore, sipas tij pjesa e KT nuk është e ndërtuar.

Tutje, ai tha se personi Gëzim, është djali i të akuzuarit Rexhep.

“Nuk është ndërtuar ashtu sepse komuna nuk e ka dhënë lejen për 7 kat mirëpo vetëm për 5 kate”, tha dëshmitari Nurqaj.

Lidhur me pjesën e pronës së tij, a tha se me fqiun e tij kishte përpiluar kontratë tek noteri për afrimin e objekteve në parcela dhe se përpos tyre ishin dakorduar edhe për mos hapjen e dritareve.

Lidhur për projektuesit e objektit ai tha se ata kanë marrë përsipër vetëm përpunimin e projektit, ndërsa për leje kishte aplikuar ai vetë.

I njëjti tha se inspektori Jakup Blakaj, kishte shkuar disa herë gjatë ndërtimeve për inspektim

Ai tha se askush nuk i ka premtuar për marrjën e lejes së kërkuar, dhe as ishte i kushtëzuar se në qoftë se nuk e bënë projektin tek “Arch Art” nuk pajiset me leje.

Më pas dëshmitari Nurqaj tha se kishte aplikuar edhe për shtimin e etazhitetit për 2 kate në kushtet e lejuara për etazhitet me hartat zonale të reja.

Ndryshe, aktakuza e ngritur nga Prokuroria Themelore në Pejë, më 7 shtator 2022, po i ngarkon Jashar Blakajn, Rrustem Gashin, Rexhep Blakajn, Isa Hoxhën dhe Besart Dreshajn, për veprat penale “Keqpërdorim i detyrës zyrtare”, “Konflikt interesi” si dhe “Falsifikim i dokumentit zyrtar”. E akuzuar në këtë rast ka qenë edhe Elfete Blakaj, por ndaj saj ishte veçuar lënda dhe e njëjta është liruar nga akuza.