Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Kush siguroi ulëse në Kuvendin e Kosovës e kush “befasoi” me rezultate?

 
   

Këtë të enjte, Komisioni Qendror nisi publikimin e rezultateve për kandidatët për deputetët në Kuvendin e Kosovës.

Në bazë të këtyre rezultateve, Lëvizja Vetëvendosje ka marrë 342 mijë e 254 ose 40.80%.

E më i votuari pas kandidatit për kryeministër, Albin Kurti, doli të jetë Glauk Konjufca me 199,136 vota, derisa në top treshe hyri Faton Peci me 96,849.

E nga gratë, më e votuara nga LVV doli të jetë ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu me 89 mijë e 601 vota.

Këngëtarja Edona Llalloshi mori 31 mijë e 668 vota, derisa ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci u radhit e 32-ta, me 17 mijë e 463 vota, kurse ajo që nuk siguroi ulëse është ministrja e Industrisë, Rozeta Hajdari.

Partia e dytë nga këto zgjdhje doli Partia Demokratike e Kosovës, e ku më i votuari në këtë listë është kandidati për kryeministër, Bedri Hamza, me 150 mijë e 294 vota.

Pas tij vjen i pari i partisë, Memli Krasniqi me 85 mijë e 293, duke pasuar me Uran Ismajli, Vlora Çitaku, Sala Jashari, Enver Hoxhaj, Përparim Gruda e Jakup Nura.

E emra të njohur të PDK-së, si Ardian Kastrati e Xhavit Haliti, kanë mbetur jashtë listës.

Ndërsa nga partia e tretë, Lidhja Demokratike e Kosovës, kandidati për kryeministër, Lumir Abdixhiku ka marrë 109 mijë e 202 vota.

E dyta me më së shumti pas Abdixhikut, doli Doarsa Kica Xhelili, e cila është edhe gruaja më e votuar në listën e LDK-së.

Ndërkaq e treta është deputetja Hykmete Bajrami me 41 mijë e 796 vota.

Pas saj, vjen Kujtim Shala, Avdullah Hoti, Lutfi Haziri, Anton Quni, Jehona Lushaku – Sadriu, Armend Zemaj dhe i dhjeti Imri Ahmeti.

Pjesë e Kuvendit nuk arriti as emri i përfolur i Lumbardh Salihut, i cili ka marrë 5 mijë e 332 vota.

Kurse nga koalicioni i AAK-Nisma-Konservatorët-Intelektualët, kryeson Ramush Haradinaj me 37 mijë e 752 vota.

I dyti në listë është Fatmir Limaj me 22 mijë e 207 vota, ndërsa i treti Daut Haradinaj me 21 mijë e 796.

Duke pasuar me Time Kadrijaj, Bekë Berisha, Arbëreshë Kryeziu, Lahi Brahimaj dhe Vesel Krasniqi.

Ndërkaq Besnik Tahiri, që në legjislaturën e fundit ishte kryetar i Grupit Parlamentar të AAK-së, në këto zgjedhje mori 8 mijë e 6 vota, duke mbetur kështu jashtë ulses së deputetit.

Deri më tani nuk janë numëruar votat e diasporës, votat me kusht dhe votat e personave me aftësi të kufizuara, numërimi i të cilave do të bëhet gjatë ditëve në vazhdim në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.