3
Pas numërimit të votave të hedhura në Kosovë më 9 shkurt, Lëvizja Vetëvendosje ka marrë 40.9% të votës totale, duke përjashtuar votat e diasporës, votat me kusht dhe të personave me nevoja të veçanta.
Me rezultatet aktuale, që nuk priten të ndryshojnë drastikisht pas numërimit të votave të mbetura, VV i merr 47 deputetë, PDK i merr 25, LDK i ka 20, AAK i ka 5 dhe NISMA i merr 3.
Edhe nëse votat e mbetura e favorizojnë thellë VV-në e Albin Kurtit, prapë kjo parti nuk pritet të marrë më shumë se 49 ose eventualisht 50 deputetë.
Për të formuar qeverinë e re, duhen së paku 61 deputetë në parlament, numër të cilin aktualisht nuk e arrin asnjë parti. Megjithatë, kur hyjnë në lojë edhe deputetët e pakicave, atëherë gjërat lehtësohen sado pak.
Me aktualisht 47 mandate, VV-së i duhen edhe 14 vota në parlament për ta formuar shumicën e thjeshtë. Këtë mund ta arrijë duke marrë votën e 10 deputetëve të pakicave joserbe, sado e vështirë të jetë kjo, e po ashtu të marrë një deputet serb nëse mandatin e fiton Nenad Rasic.
Prapëseprapë, edhe nëse i merr 11 deputetë të pakicave në skenarin më të mirë, është e pamjaftushme të formohet qeveria me 58 deputetë. Shumë zëra ditëve të fundit kanë sugjeruar se Fatmir Limaj mund të jetë ‘kingmaker’ i qeverisë, meqë ka siguruar 3 deputetë.
Pra, në skenarin ku VV e formon qeverinë pa koalicione të mëdha, i duhen të gjitha votat e pakicave joserbe, një deputet serb dhe 3 deputetë të NISMA-s.
Sigurisht, nëse VV shkon në mbi 47 deputetë, atëherë formula për krijimin e qeverisë pa koalicione me partitë e mëdha bëhet më e thjeshtë, por se i duhen gjithsesi disa ‘grabitje’ të deputetëve nga kampi opozitar.