
Ambasadori i Kosovës në SHBA, Ilir Dugolli, deklaron se pak javë më parë ishte në kontakt tashmë me diplomatin e ndjerë amerikan Wisner, i cili vdiq të hënën në moshën 86-vjeçare. Dugolli thotë se për herë të fundit kontaktuan për ndarjen nga jeta të vëllait të diplomatit.
Dugolli shprehet i pikëlluar me humbjen e mikut të madh të Kosovës.
“I pikëlluar për vdekjen e ambasadorit Frank Wisner, një figurë e jashtëzakonshme në diplomaci dhe një mik i madh i Kosovës. Humbja e tij ndihet edhe më e rëndë, pasi herën e fundit që kemi qenë në kontakt, vetëm pak javë më parë, ka qenë për ndarjen nga jeta të vëllait të tij, Graham. Qoftë i bekuar kujtimi i tij!”, shkruan ai.
Frank Wisner, diplomati amerikan ka shërbyer edhe si i dërguar special i SHBA-së në bisedimet për statusin e Kosovës, para pavarësisë.