Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Sami Kurteshi sërish në sulm, e etiketon AGK-në si “Aleancë të Grupeve Kriminale”

Pas gjuhës skandaloze ndaj gazetarëve, Sami Kurteshi i Lëvizjes Vetëvendosje ka shpërthyer edhe ndaj Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK).

Duke komentuar reagimin e tyre, Kurteshi thotë se AGK që moti ka pushuar të jetë mbrojtëse e gazetarëve. Sipas tij, që moti është shndërruar në Aleancë të Grupeve Kriminale, raporton Paparaci.

“Viktimizimi i kriminelëve të mbështjellur me velon e “gazetarit”, në mesin e tyre të vrasësve me pagesë të dinjitetit njerëzor, është “lot krokodili”. Kriminelët vrastarë të llojit e sojit të tillë, duke u frikësuar nga hija e tyre e përbindëshme vrastare që shohin në pasqyren mëngjesore, rrezikimin e sojit të tyre e pasqyrojnë te të tjerët. Qëllim dhe shpërfaqje e neveritshme, e pështirë kutërbuese. Askush, në asnjë rast, nuk i përfillë, ashtu siç kërkojnë me ngulm, e lëre më t’i rrezikojë. Halli i sojit e sorollopit të tyre nuk është as rrezikimi, as pengimi, as “gjuha fyese”, as kërcënimi, as cenimi i “sigurisë së gazetarëve” e as i “lirisë së medias””, shkruan Kurteshi në Facebook.

Siç thekson ai, halli i tyre është pikërisht se nuk e durojnë Lirinë e Mendimit ndryshe dhe Lirinë e Shprehjes, monopolin e të cilave e gjakojnë për qëllime kriminale.

“Brenga e shqetësimi i tyre thelbor është se narracioni i tyre kriminal e vrastar nuk po arrin të krijojë diskurs publik. Kaq! Për AGK nuk ka respekt! Poshtë!”, shkruan më tej.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ditën e djeshme ka dënuar gjuhën e anëtarit të Lëvizjes Vetëvendosje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Sami Kurteshi, i cili fyer gazetarët e pranishëm në Qendrën Komunale të Numërimit, të mërkurën, duke u thënë “qen të mediave” dhe “media kriminale të vrasësve me pagesë”.

AGK-ja e konsderoi këtë gjuhë si të papranueshme dhe të rrezikshme.