3
Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbrëmë një mbledhje elektronike, me ç’rast janë marrë tri vendime.
Gjatë kësaj mbledhje është aprovuar Udhëzimi Administrativ për Masat e Veçanta për Regjistrimin e Pronës së Paluajtshme të përbashkët në emër të dy bashkëshortëve.
Po ashtu, në këtë mbledhje qeveria ka ndryshuar dhe plotësuar vendimin e Qeverisë Nr. 03/251 të datës 12 mars, me të cilin ka emëruar Komisionin Ad hoc për vlerësimin profesional për pranim në pozitën e lartë të kategorisë drejtuese: “Kryeinspektor Shëndetësor në Inspektoratin Shëndetësor”.
“Sipas këtij ndryshim plotësimi, anëtari Avni Kastrati, Drejtor Ekzekutiv i ASK-së, zëvendësohet me Anita Kalanderin, Sekretare e Përgjithshme në Ministrinë e Drejtësisë”, thuhet tutje në njoftim.
Në njoftim për media bëhet e ditur se është ndryshuar dhe plotësuar vendimi i Qeverisë Nr.05/251 të datës 12 mars 2025, me të cilin është emëruar Komisioni Ad hoc për vlerësimin profesional për pranim në pozitën e lartë të kategorisë drejtuese: “Drejtor Ekzekutiv në Agjencinë e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale”.