Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Mosardhja e Thaçit në varrimin e babait, Jashari: Gjykata ka pasur frikë që s’mund ta administrojë vizitën

 
   

Ish-presidenti, Hashim Thaçi ka arritur të premten në Kosovë, ku ka shkuar për vizitë te varri i babait të tij në Burojë të Skenderajt.

Kjo pasi babai i tij u varros të martën më 18 mars, ku Thaçit nuk iu lejua nga Dhomat e Specializuara të Hagës të marrë pjesë në ceremoninë e varrimit të babait të tij.

E për këtë, avokati, Arbër Jashari ka deklaruar se është një vendim i vonuar, pasi që është dita e pestë që i ndjeri, Haxhi Thaçi ka vdekur.

Sipas avokatit, Gjykata ka pasur frikë që nuk mundet të administrojë si duhet vizitën e Thaçit në Kosovë, pasi që ish-presidenti mundet të përballet me numër të madh të njerëzve.

“Natyrisht që ka qenë një vendim i vonuar, duke pasur parasysh se kjo është dita e pestë e të ndjerit të babait të Hashim Thaçit. Nuk i është dhënë mundësia të jetë prezentë më herët në varrimin e tij duke pasur parasysh që Gjykata ka pasur frikë që nuk mundet të administrojë si duhet vizitën e tij në Kosovë, Dhomat e Specializuara e kanë frikë atë që Thaçi mund të përballet me numrin e madh të njerëzve dhe varrimi i të ndjerit, Haxhi Thaçi ka qenë më një numër të madh, kjo është pikërisht që Gjykata nuk i ka dhënë leje Thaçit të merr pjesë në varrimin e babait”, tha avokati.

Ndërkohë, Jashari thotë se mosdhënie e lejes që të jetë prezentë në ditën e varrimit përbën shkelje dhe në këtë formë është cenuar e drejta e ish-presidentit.

“Pas vizitës së varrit të babait të tij, ai ka qëndruar për disa orë edhe në shtëpinë e tij ku është takuar me disa anëtarë të familjes së ngushtë dhe gjatë ditës së nesërme do ë ketë mundësi të pret vëllezërit dhe pjesëtarët e tjerë të familjes të cilët do të kenë mundësi të shprehin ngushëllime, dua të them se kjo vizitë në fund u realizua prapë se prapë mos dhënia e lejes që ai të jetë prezentë në ditën e varrimit përbën shkelje në këtë formë është cenuar njëra nga të drejtat e tij dhe është cenuar një prej dispozitave të rregullores”, ka deklaruar Jashari në emisionin “Ditari” në tëvë1.

E mesazhi i Thaçit i cili e dërgoi në varrin e babait “Së shpejti dorë më dorë do t`i falënderoj gjithë ata që më kanë ngushëlluar”, sipas avokatit është një dozë e optimizmit.

“Esenca e këtij mesazhi është që ka besim ky që do të lirohet së shpejti dhe do t`i takojë njerëzit që kanë qenë në varrimin e babait të tij, është mirë që ekziston te Thaçi dhe të tjerët kjo dozë e optimizmit, kjo dozë e optimizmit buron në pafajësinë e tij”, tha ai ndër të tjera.