Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Pacolli: Sot Kosova shkruan histori, Kenia e njeh zyrtarisht Kosovën si shtet të pavarur e sovran

Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli, ka shkruar të martën në Facebook se shteti i Kenias ka njohur zyrtarisht Kosovën si shtet të pavarur.

Pacolli ka publikuar fotografi të asaj që ka thënë se ka qenë ceremoni e jashtëzakonshme dhe e paharrueshme.

“NAIROBI 26 mars 2025. Sot, Kosova shkruan histori! 17 vjet pas Pavarësisë, në një ceremoni të jashtëzakonshme e të paharrueshme, Republika e Kenias – një nga shtetet më të rëndësishme të Afrikës – e njohu zyrtarisht Republikën e Kosovës si shtet të pavarur dhe sovran!”, ka shkruar ai.

Pacolli ka thënë se ka lobuar në Kenia që nga viti 2009.

“Presidenti William Ruto, i qëndroi fjalës së dhënë në vitin 2016. Ai e vizitoi Kosovën në vitin 2019 dhe e ndjeu fuqinë dhe vendosmërinë e popullit tonë. Në vitin 2023, gjatë vizitës time në Nairobi, ai e bëri hapin e parë duke njohur pasaportat tona. Sot, në një ceremoni madhështore, ai e tha me zë të lartë: Kosova është shtet i njohur nga Kenia! Kjo është diplomaci me rezultat. Kjo është Kosova që e respektojnë! Kjo është fitorja e dinjitetit tonë kombëtar në arenën ndërkombëtare!” ka shkruar ai.

Pacolli i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të vendosë marrëdhënie diplomatike me Kenian dhe të hapë ambasadë të përbashkët me Shqipërinë atje.

“Kosova duhet të jetë prezente aty ku respektohet dhe mbështetet – në zemrën e Afrikës! Kjo ambasadë do të jetë porta e Kosovës për të hyrë fuqishëm në kontinentin afrikan, për të ndërtuar aleanca të reja politike, ekonomike dhe kulturore”, ka shkruar tutje ish-deputeti.

Në uebfaqen e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës lista e njohjes përbëhet nga 117 shtete.

Njohja e fundit zyrtare ka qenë më 1 shkurt 2021 nga Izraeli.