Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Osmani ngushëllon ShBA-në për vdekjen e ushtarëve në Lituani

Presidentja Vjosa Osmani ka nderuar ushtarët amerikanë që humbën jetën tragjikisht në Lituani gjatë disa ushtrimeve.

“Sot u bashkohemi miqve tanë amerikanë në zinë për tre ushtarët e guximshëm amerikanë që humbën jetë gjatë një ushtrimi të udhëhequr nga ShBA-ja në Lituani – larg nga shtëpia, por kurrë larg nga nderi”, ka shkruar Osmani në Facebook.

“Në Lituani, në Kosovë, dhe në krejt Aleancën, i kujtojmë ata, dhe qëndrojmë solidarë teksa vazhdojnë pëprjekjet për lokalizimin e ushtarit të katërt”.

Ndryshe, tre prej katër ushtarëve amerikanë që ishin zhdukur në Lituani prej javës së kaluar, janë gjetur të vdekur të hënën, ka thënë ushtria amerikane, pasi ekipet e shpëtimit kanë arritur të nxjerrin automjetin e blinduar prej një moçali.

Autoritetet e Lituanisë kanë pranuar informacione të martën e javës së kaluar se ushtarët janë zhdukur gjatë stërvitjeve ushtarake në një qendër trajnimi në qytetin lindor Pabrade, afër kufirit me Bjellorusinë.

Ekipet e kërkim-shpëtimit kanë punuar me pajisje të rënda dhe ekskavatorë për të hequr llumin prej makinës së mbushur me ujë, dhe më pas kanë arritur ta nxjerrin ata nga gropa.

“Tre ushtarë amerikanë janë gjetur të vdekur sot në Lituani”, ka thënë Zyra e ushtrisë amerikane për Evropën dhe Afrikën, përmes një komunikate.

Në të është thënë se “operacionet e kërkim-shpëtimit janë duke vazhduar për ushtarin e katërt”, ndërsa identitetet nuk u janë bërë publike derisa të njoftohen familjarët dhe të merret konfirmimi i tyre.

“Zemrat tona janë të rënduara nga dhimbja. Por, kërkimet tona nuk përfundojnë derisa secili të kthehet në shtëpi”, ka thënë gjenerali komandues amerikan, Christopher Norrie.

Qindra punëtorë lokalë dhe të huaj, dhe pjesëtarë të kërkim-shpëtimit, përfshirë inxhinierë dhe zhytës janë të përfshirë në kërkimet për të gjetur edhe pjesëtarin e katërt që ka qenë në makinën e blinduar, M88 Hercules.

Lituania, vend anëtar i NATO-s dhe BE-së, është nikoqire e mbi 1.000 trupave amerikane që janë të stacionuara në baza rotative.