Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Kjo është videoja që tregon momentet e fundit të mjekëve të vrarë në Gaza

Një video e gjetur nga celulari i një mjeku palestinez të vrarë së bashku me 14 kolegë të tij në Gaza muajin e kaluar bie ndesh me arsyetimet që izraelitët kanë dhënë për të njëjtën ngjarje.

Videoja – e gjetur në telefonin e të ndjerit Rifat Radwan dhe e publikuar të shtunën nga Shoqata e Gjysmëhënës së Kuqe palestineze (PRCS) – tregon momentet e tyre të fundit teksa mjekët palestinezë të veshur me uniforma reflektuese dhe brenda një ambulance të identifikueshme qartësisht të PRCS, qëllohen nga forcat izraelite më 2 mars.

Në video dëgjohen zërat e dy mjekëve – njëri thotë: “Automjeti, automjeti” dhe tjetri duke u përgjigjur: “Duket se është një aksident”.

Disa sekonda më vonë, shpërthen një breshëri armësh dhe ekrani bëhet i zi.

Mjeku që regjistron skenën më vonë mund të dëgjohet duke recituar deklaratën islame të besimit, Shehadetin, të cilën muslimanët tradicionalisht e thonë përballë vdekjes. “Nuk ka Zot përveç Allahut, Muhamedi është i dërguari i tij,” thotë ai vazhdimisht, me zërin që i dridhej nga frika ndërsa të shtënat e forta me armë vazhdojnë në sfond.

Ushtria izraelite kishte thënë se ushtarët e saj nuk sulmuan qëllimisht asnjë ambulancë, porse ata qëlluan mbi “terroristët” që u afroheshin atyre me “disa automjete të dyshimta”.

Pak para se të përfundojë video, ai dëgjohet duke thënë: “Hebrenjte po vijnë, hebrenjtë po vijnë”, me sa duket duke iu referuar ushtarëve izraelitë.

PRCS tha se karvani u dërgua në përgjigje të thirrjeve emergjente nga civilët e bllokuar pas një bombardimi izraelit në Rafah

PRSC humbi tetë nga punëtorët e saj në sulm. Gjashtë anëtarë të tjerë të agjencisë palestineze të mbrojtjes civile dhe një punjonës i agjencisë së Kombeve të Bashkuara për refugjatët palestinezë, UNRWA, u vranë gjithashtu atë ditë, raporton Al Jazeera.

Trupat e tyre u gjetën të varrosur më vonë në atë që Zyra e OKB-së për Koordinimin e Cështjeve Humanitare(OCHA) e përshkroi si një varr masiv.

 

View this post on Instagram

 

A post shared by Wissam Nassar (@wissamgaza)