
Një viktimë pjesëmarrëse në rastin e Salih Mustafës në Hagë, ka hequr dorë nga kompensimi në këtë çështje.
Kërkesa e viktimës për të hequr dorë nga kjo e drejtë u bë më 15 maj 2024 nëpërmjet mbrojtësit të viktimave, e cila u bë publike më 17 mars 2025, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Në [E REDAKTUAR] është shprehur qartë dëshira për të hequr dorë nga [E REDAKTUAR] dëmshpërblimi që i është dhënë”, thuhet në parashtrimin e mbrojtësit të viktimave.
E njëjta viktimë, kishte kërkuar nga gjyqtari që e mbikëqyr këtë urdhër, Gilbert Bitti, që shumën që është caktuar për të, të urdhërojë që ta shpërndajë në mënyrë proporcionale tek viktimat tjera, që gjithsej janë shtatë përveç viktimës në fjalë.
Ndërsa, gjyqtari i angazhuar për ta mbikëqyrur urdhrin ndaj Mustafës, ka thënë se heqja dorë nga dëmshpërblimi, nuk e ndryshon përmbajtjen e urdhrit i cili është përfundimtar dhe përcakton shumat që duhet paguar për secilën viktimë individuale bazuar në vlerësimin e dëmit që kanë pësuar.
Ndërsa, marrja e më shumë kompensimi se sa iu është caktuar viktimave, sipas gjyqtarit nuk do të ishte në përputhje me urdhrin për zhdëmtim.
Por, meqë zhdëmtimet nuk janë paguar në tërësi, shpërndarja e kësaj shume proporcionalisht tek viktimat e tjera nuk do të ndryshonte urdhrin për zhdëmtim, vetëm do të sigurohej që fondet ekzistuese të shpërndahen në mënyrë efikase.
Kjo është thënë në vendimin e marrë më 18 korrik 2024, i cili u bë publik më 3 prill 2025.
“MERR PARASYSH [E REDAKTUAR] heqjen dorë nga çdo pagesë në zbatim të zhdëmtimit të dhënë [E REDAKTUAR], sipas kushteve të urdhrit për zhdëmtim. HEDH POSHTË Kërkesën për të shpërndarë shumën e parave të dhëna [E REDAKTUAR] ndërmjet viktimave të mbetura”, thuhet në vendim.
Aktgjykimi ndaj Mustafës në shkallë të parë ishte shpallur më 16 dhjetor 2022, me të cilin Mustafa është dënuar me 26 vite burgim.
Ndërsa, më 6 prill 2023, Salih Mustafa u urdhërua që të paguajë 207 mijë euro për zhdëmtim të viktimave. Më pas, ai kishte paraqitur në Panelin e Gjykatës së Apelit 51 pika kundër vendimit dënues të Themelores së Speciales ndaj tij.
Kurse, Apeli i Speciales më 14 dhjetor 2023 ka shpallur aktgjykim ndaj Salih Mustafës, me të cilin e dënoi me dënim unik prej 22 vite burgim për krime lufte.
Sipas DhSK-së, Salih Mustafa kishte bërë kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në Supreme dhe vendimi mbi këtë kërkesë është marrë më 29 korrik 2024.
“Në kërkesën e tij për mbrojtje të ligjshmërisë z. Mustafa ngriti pesë pika, të cilat lidheshin me përkthimin e aktgjykimit të Apelit në gjuhën shqipe, shpalljen e tij fajtor për vrasje si krim lufte, si edhe me masën e dënimit”, thuhet në njoftimin e DhSK-së.
Kërkesën për mbrojte të ligjshmërisë, Mustafa e kishte dorëzuar më 13 mars 2024 me ç’rast kishte kërkuar nga Gjykata Supreme e DhSK-së që të modifikojë aktgjykimet e shkallës së parë dhe të dytë, duke anuluar dënimet për ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje, kështu duke e shpallë të pafajshëm ose t’i anulojë tërësisht aktgjykimet dhe ta kthejë çështjen në rigjykim.
Mustafa ka parashtruar pesë pika, me anë të së cilave ka kundërshtuar vendimin e Apelit, me të cilin u dënua me 22 vite burgim. Kërkesa e Mustafës ishte pranuar pjesërisht, kështu që Supremja e kishte kthyer sërish rastin tek Apeli për të vendosur një dënim të ri për të akuzuarin.
Në arsyetimin e aktgjykimit, kryetarja e panelit të Apelit, Michele Picard tha se trupit gjykues i shkallës së parë kishte bërë një gabim të dallueshëm në dënimin e dhënë për Salih Mustafën. Po ashtu, ajo shtoi se një dënim i njehsuar prej 22 vitesh burgim, duke e llogaritur edhe kohën e kaluar në paraburgim, pasqyron në tërësi veprimtarinë kriminale të Mustafës.
Kurse më 10 shtator 2024, Gjykata e Apelit në Hagë ka marrë vendim që të ndryshojë dënimin nga 22 në 15 vjet burgim për Salih Mustafën pasi Supremja e ktheu sërish çështjen tek kjo shkallë. Serish, Cali u ankua në Supreme për vendimin e dytë të Apelit, por shkalla e tretë la në fuqi këtë dënim ndaj tij.
Kronologjinë e rastit ndaj Salih Mustafës, mund ta lexoni KËTU. Ndryshe, aktakuza ndaj Mustafës ishte konfirmuar më 12 qershor 2020.