Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Zelensky konfirmon praninë e trupave ukrainase në rajonin Belgorod të Rusisë

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka pranuar publikisht për herë të parë se trupat e tij janë aktive në rajonin rus Belgorod, i cili kufizohet me Ukrainën.

“Ne vazhdojmë të kryejmë operacione aktive në zonat kufitare në territorin e armikut, dhe kjo është absolutisht e drejtë – lufta duhet të kthehet atje nga erdhi”, tha ai të hënën.

Komentet e tij iu referuan gjithashtu rajonit Kursk të Rusisë, ku Ukraina ende mban një zonë të vogël pas një ofensive të madhe vitin e kaluar. Moska që atëherë ka rimarrë pjesën më të madhe të territorit.

Ushtria ruse kishte raportuar muajin e kaluar për përpjekjet e Ukrainës për të kaluar në rajonin e Belgorodit – por tha se sulme të tilla ishin refuzuar. Zonat në fjalë janë vetëm një distancë e shkurtër brenda territorit rus.

Presidenti rus, Vladimir Putin filloi një pushtim të plotë të Ukrainës në vitin 2022 dhe Moska aktualisht kontrollon rreth 20% të territorit të Ukrainës.

Në fjalimin e tij me video të hënën vonë, Zelensky tha se ishte informuar nga komandanti i tij i lartë Gjeneral Oleksandr Syrskyi për situatën në front, “duke përfshirë praninë tonë në rajonet e Kursk dhe Belgorod”.

Më 18 mars, Zelensky kishte konfirmuar indirekt se trupat ukrainase ishin atje.

Operacioni i Ukrainës në Belgorod besohet të jetë në një shkallë shumë më të vogël në krahasim me veprimet e saj në Kursk, ku Kievi në një moment pushtoi një numër fshatrash duke përfshirë qytetin rajonal të Sudzha, raporton BBC.

Një numër analistësh lufte – si në Ukrainë ashtu edhe në Perëndim – kanë vënë në pikëpyetje përshtatshmërinë ushtarake të operacioneve të Kievit në tokën ruse, duke vënë në dukje raportimin e viktimave të larta luftarake dhe vështirësive të furnizimit me armë.