Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

​Gjenerali amerikan, Arthur Garffer nderohet nga Komuna e Deçanit

 
   

Arthur Garffer, gjeneral brigade i KFOR-it, u nderua të martën me çmimin “Qytetar Nderi” i Komunës së Deçanit, nga kryetari i kësaj komune, Bashkim Ramosaj.

Amerikani u nderua për kontributin e tij të dhënë gjatë luftës së fundit në Kosovë dhe në vazhdimësi.

Kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj tha se vendi ka nevojë për mbështetjen e aleatit më të rëndësishëm, SHBA-së.

Ramosaj: Lirinë e arritëm fal UÇK-së dhe SHBA-së

Në emër të qytetarëve të Deçanit, subjekteve politike, e kam shumë për nder ta falënderoj dhe ta përshëndes për prezencën. Ky qytet e ka një të kaluar që është e trishtë mirëpo e lavdishme. Në 1999 fal UÇK-së, SHBA-së, ne kemi arritur ta kemi lirinë dhe kemi guxuar me rilindë këtë qytet përtej dhimbjeve dhe varreve që kemi pasur. Do të jemi të përkushtuar, te pandalshëm dhe për ketë kemi nevojë ta kemi mirësinë dhe mbështetjen e aleatit më të rëndësishëm. Faleminderit për kontributin që po e jepni në vazhdimësi”, tha Ramosaj.

I pranishëm ishte edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.

Haradinaj, ai shtoi se Deçani dhe “e tërë Kosova është familja e dytë e të gjithë amerikanëve”.

Haradinaj: Deçani është familja e dytë e amerikanëve

Deçani është i nderit, di të nderojë dhe kjo është një ditë e nderit për ju dhe për ne: në shenjë nderimi e falënderoj për pranimin e çmimit. Deçani dhe Kosova është familja e dytë e gjeneralit ashtu siç është për të gjithë amerikanet”, shtoi Haradinaj.

Pasi u nderua, gjenerali amerikan, Arthur Garffer, u shpreh se SHBA-ja dhe Kosova kanë një partneritet të fortë dhe të gjatë, për të promovuar paqen dhe demokracinë në rajon.

Ai gjithashtu la një mesazh për qytetarët e vendit, duke theksuar se të kaluarën duhet lënë pas dhe fokusi të jetë në ndërtimin e vendit, që Kosova të vazhdojë të jetë një anëtare e rëndësishme e komunitetit ndërkombëtar, sepse siç tha ai, aty e ka vendin Kosova.

Garffer: SHBA dhe Kosova kanë partneritet të fortë

Shtetet e Bashkuara dhe Kosova kanë një partneritet të gjatë dhe të fortë, veçanërisht në misionin tonë të përbashkët për të promovuar paqen dhe demokracinë në rajon. Shërbimi ynë nuk është thjesht një detyrë, por një nder, sepse marrëdhëniet që kemi ndërtuar ndër vite shkojnë përtej çdo misioni. Ne tashmë e kemi kaluar këtë rrugë. Tani është në dorën tuaj. Dhe si partnerët tuaj, ne duam të sigurohemi që t’ju ndihmojmë të arrini aty ku duhet. Që këto ura bashkëpunimi të ndërtohen, që ekonomia juaj të lulëzojë dhe që Kosova të vazhdojë të jetë një anëtare e rëndësishme e komunitetit ndërkombëtar. Sepse aty e ka vendin Kosova”, u shpreh Garffer.

Në fund, gjenerali amerikan, Garffer, u nderua edhe nga Haradinaj me dekoratën “besim në Zot, atdhe dhe shtet për shërbim”.